Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

T’u shpjegosh 11 Shtatorin personave që kanë lindur pas 11 Shtatorit

Nga A2 CNN
11 Shtator 2021, 17:14 | Bota
T’u shpjegosh 11 Shtatorin personave që kanë lindur pas 11

Si ja tregoni sot historinë e 11 Shtatorit, dikujt që ka lindur pas vitit 2001? Përgjatë këtyre 20 viteve, një brez i ri është rritur duke lexuar në libra historie e internet gjithçka ndodhi të martën e 11 Shtatorit. Në qytetin e Nju-Jorkut, një muze i vogël, i quajtur “Muzeu i nderimit” të 11 Shtatorit, ka marrë përsipër t’i mësojë përmes rrëfimit, brezit të ri, edukimin e kësaj pjesë të historisë amerikane.

Brenda muzeut, historinë e rrëfejnë me radhë, njerëz të ndryshëm, njerëz që atë të martë, e kanë përjetuar nga afër atë sulm të papritur. Janë ato që të drejtojnë edhe në këtë tur brenda muzeut, duke përshkruar minutë pas minute, çdo ngjarje, në detaje.

Joan Mastropaolo është një nga qindra vullnetarët që ndajnë me të rinjtë, historinë e tyre personale. Ajo pret çdo ditë grupe të rinjsh, prej vitesh tashmë, siç ndodh me këtë grup studentësh nga shkolla e Salem, në Oregon dhe i përshkruan atyre faktin se ishte dëshmitare e gjallë e asaj dite.  “Me sytë e mi” e nis ajo tregimin. Nuk e harroj kurrë atë avion. Pashë avionin e American Airlines që iu afrua Kullës Veriore. Nuk po kërkonte t'i vinte vërdallë, por u përplas mu në zemër të kullës” - tregon Joan. Studentët e dëgjojnë në qetësi, me respekt dhe kuriozitet po ashtu. Dëgjojnë gjithçka dhe janë totalisht të angazhuar.

Grupi sheh me vëmendje edhe video-dokumentarin që shfaqet në muze, ku transmetohen pamje të momentit kur avioni i dytë përplaset me kullën e jugut, teksa ajo e veriut është goditur pak minuta më herët dhe është në flakë. Në dokumentar është pasqyruar edhe reagimi i menjëhershëm i forcave zjarrfikëse, menjëherë sapo janë njoftuar për ngjarjen dhe mënyra se si dhjetëra prej tyre ngecën nën rrënoja, kur kullat u shembën.

Moment i frikshëm ende sot është ai i shembjes së dy kullave dhe tymi e pluhuri që ngrihet më pas, shkatërrim kudo, gjak e panik, thirrje për ndihmë dhe njerëz që vrapojnë, për t'i shpëtuar armikut, që këtë herë erdhi nga qielli.

Studentët emocionohen teksa shohin këto video, edhe pse më herët i kanë parë me qindra herë.

Ian Crites, 15-vjeçar, shtanget dhe emocionohet teksa dëgjon prezantimin. “Të gjithë kanë humbur dikë atë ditë, qoftë ai një mik apo anëtar i familjes dhe kjo është vërtetë e dhimbshme. Ndihem shumë keq për këdo që ka humbur një njëri atë ditë. Kam parë shumë video në shkollë dhe internet. Por ta shohësh këtu apo ta kesh jetuar atë histori, të dëgjosh histori të njerëzve që kanë humbur të dashurit, është krejt tjetër gjë. Është vërtet shumë e vështirë”, thotë ai.

“Asgjë nga kjo që bëjmë nuk është e lehtë. Njerëzit qajnë shumë, të gjithë në turin tim. Por le ta pranojmë, të flasësh për 11 Shtatorin, nuk është e lehtë”, thotë Mastropaolo.

Po ashtu edhe 14-vjeçarja, Gillian Rodriguez e ndjek Joanën nga pas me vëmendje. “Unë nuk kisha lindur në atë kohë. Por po, është shumë e trishtë të shohësh që njerëzit kanë humbur jetën vetëm sepse bënin gjërat e përditshme, shkuan në punë apo thjesht kaluan pranë kullave. Ndaj është e rëndësishme të kujtojmë sepse ishte një ngjarje e rëndësishme për vendin tonë”.

Mastropaolo vërtet thotë se të rrëfesh çdo ditë të njëjtin përjetim është e vështirë, por ajo këmbëngul se mësimi dhe kujtimi i asaj ditë është thelbësor. “Është shumë e rëndësishme që t’ia kalojmë këtë histori brezave të ardhshëm, qoftë edhe përmes nesh. Ne do të jemi këtu për ta transmetuar këtë histori. Me shumë pasion, ne do të sigurohemi që studentët ta mësojnë atë, në shkollë, përmes historisë së Amerikës, por edhe përmes nesh. Ky ka qenë sulmi më i rëndë ndaj Amerikës. Dhe ne nuk mund ta harrojmë. Për ne, ky është një pasion i fortë, që duhet t’ia kalojmë edhe më të rinjve. Duhet të shohim drejt së ardhmes, por asnjëherë nuk duhet të harrojmë”.

Sot, 2763 njerëz që humbën jetën në Qendrën Botërore të Tregtisë, kujtohen dhe nderohen në Muzeun dhe Memorialin Kombëtar të 11 Shtatorit. Emrat e tyre janë shkruar qark vendit ku dikur ngriheshin dy Kullat Binjake. Dhe muzeu i Nderimit gjendet shumë pranë. Dy muze ndahen nga institucione mes tyre, por të dy kanë një qëllim të vetëm: të nderojnë ata që humbën jetën në ato sulme si dhe të edukojnë publikun për atë që ndodhi, më 11 shtator.

“Misioni i këtij muzeu është shumë i thjeshtë. Qëllimi ynë është të ndajmë histori, historinë tonë dhe të atyre që ishin këtu atë 11 shtator, që përjetuan atë tmerr dhe për familjet e viktimave. Siç mund ta shihni ne nuk kemi shumë artefakte. Më ka pëlqyer gjithnjë të them se artefaktet tona janë në zemër dhe shpirt”, shpjegon Mastropaolo.

Gjatë turit në muze, Mastropaolo rrëfen me detaje se si pas sulmeve terroriste, amerikanët u bënë bashkë. Ata ishin një. Ata i bashkoi dhimbja. Dhe sot, Joan sfidon studentët me një thirrje për aksion, i fton ata të dalin vullnetar për të ndihmuar njerëz nga komuniteti ku jetojnë.

A2 CNN Livestream

Dita jonë