Berishën apo Bashën, cilin do të zgjedhin demokratët?

Roland Bejko, anëtar i Këshillit Kombëtar i Partisë Demokratike, ishte i ftuar në studion e “Ditari” në A2 CNN, nga ku komentoi “përplasjen Berisha-Basha”.

“Sherri që nisi pas vendimit të kryetarit Basha për të larguar përkohësisht zotin Berisha nga grupi parlamentar, mendoj se zhvillohet për interesa personale, për pushtet personal. Është një sherr që nuk e nderon atë që e ka nisur dhe mendoj që do t’i bëjë dëm Partisë Demokratike”, deklaroi Bejko.

“Zoti Berisha duhet të kapërcejë egon e vet, nuk është mirë për lavdinë që ka krijuar brenda partisë, ku ka qenë figurë e dashur nga të gjithë. Por, me reagimet inatçore të fundit, kur e di mirë si është politika dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët, duhet të tërhiqet sa nuk është vonë, që partia të mos shkatërrohet fare. Fundi i zotit Berisha në PD duhet të ishte më i lavdishëm dhe të përkonte me aktet e mëdha që ka bërë për vendin”, shtoi Bejko.

Më tej, ai theksoi se te ne nuk ka as parti, siç thotë zoti Berisha, me sovranitet absolut dhe as vend me sovranitet absolut: “Kur bëhesh pjesë e organizatave dhe partneriteteve ndërkombëtare, delegon sovranitet”.