Lufta ndaj Bashës, opsionet statutore të Berishës në kërkim të mbështetjes së demokratëve

Përjashtimin nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, Sali Berisha nuk e priti mire dhe për këtë deklaroi se do përdorte çdo pikë të statutit për të vendosur në vend dinjitetin e tij brenda mureve të selisë Blu.

Por cilat janë rregullat statutore që mund të shfrytëzojë Sali Berisha nëse synon largimin e Lulzim Bashës? Neni 43 mbi organizimin dhe funksionimin e kuvendit kombëtar parashikon mbledhjen e këtij institucioni në rast të një vendimi të këshillit kombëtar ose kryesisë së partisë. Gjithashtu, Kuvendi mblidhet edhe kur kërkohet nga 1/4 e delegatëve ose e vetë anëtarësisë.

Për të ndërmarrë një lëvizje të tillë, Sali Berishës i nevojitet mbështetje nga baza e gjere e partisë dhe sinjalet për një tur të mundshëm me demokratët i ka dhënë edhe pse jo të drejtpërdrejta.

“Jam i sigurt se anëtarët dhe mbështetësit dhe drejtuesit e të gjitha niveleve të PD do të dinë të hedhin në kosh vendimin antistatutor të atij që sot është në kryet të PD, por që dëshmon se mbi këtë tokë ka vetëm një interes, interesin e tij personal”.

Një tjetër pikë e statutit që mund të përdorë Sali Berisha është pika 2 e nenit 54. Berisha mund t’i drejtohet Komisioni i Apelimit, Integritetit dhe Etikës për të kundërshtuar vendimin e marrë nga kryedemokrati Basha në lidhje me përjashtimin e tij nga grupi parlamentar.

Ndërkohë edhe Basha është hedhur në lëvizje. Kryedemokrati mblodhi paraditen e të hënës një grup bashkëpunëtorësh që do të mbrojnë pozicionin e partisë në publik. Mes tyre është edhe Agron Gjekmarkaj, që u pyet nga gazetarët mbi nismat statutore që paralajmëron Berisha. “Sali Bberisha është personalitet i madh politik, betejat për statut që mund të bëjë ai nuk janë të kalibrit të tij”, tha Gjekmarkaj. Ai është i mendimit se përjashtimi i liderit historik nga grupi parlamentar ishte e vetmja rrugë për Partinë Demokratike dhe kryetarin Basha.