Lamtumirë Ylli Mihali, 27 vjet pjesë e Kombëtares

Futbolli shqiptar dhe ekipi kombëtar janë në zi. Ylli Mihali, fizeoterapisti që ka qenë pjesë e stafit kuqezi prej 27-vjetësh, u nda nga jeta pas një beteje të gjatë me Covid-19.

Ai ishte infektuar me koronavirus prej afro një muaji, pavarësisht se i kishte kryer të dyja dozat e vaksinës. Prej afro dy javësh, 52-vjeçari ishte i shtruar në spital, në gjendje të rëndë, duke qëndruar edhe në intubim.

Të dashur anëtarë të komunitetit të futbollit! Sot mësuam lajmin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të mjekut…

Posted by Federata Shqiptare e Futbollit on Monday, September 13, 2021

Ylli Mihali ishte një persoinalitet mjaft i njohur dhe i dashur në ambientin sportiv. Me punën e tij në ekipin kombëtar, por edhe si pjesë e stafit të Tiranës, gjatë tre dekadave të fundit ai ka ndihmuar jo thjesht futbollistët e nivelit të lartë, por është kujdesur për sportistë të të gjitha skuadrave në momentet e vështira të lëndimeve.

Vetëm një javë më parë, në sfidën e fituar 5-0 me San Marinon, ekipi kombëtar zbriti në fushë me bluza solidarizimi për Ylli Mihalin, me mesazhin “Mos u dorëzo”. 

Fatkeqësisht, njeriu që ka kaluar disa breza lojtarësh në skuadrën kuqezi, humbi ndeshjen më të rëndësishme dhe tashmë do të kujtohet gjithmonë si njeriu humanist, që ia dedikoi të gjithë jetën sportit dhe shëndetit të sportistëve.

Të dashur miq, Pak minuta më parë u njoha me lajmin e kobshëm se Ylli Mihali, njeriu i mirë, fjalëpak, u nda nga jeta…

Posted by Armand Duka on Monday, September 13, 2021

Përveç shumë mesazheve ngushëlluese nga lojtarë, kolegë e gazetarë, edhe presidenti Ilir Meta reagoi ndarjen nga jeta të Mihalit. “Trishtim për ndarjen e parakohshme nga jeta të fizioterapistit Ylli Mihali, kontributor i palodhur për gati tre dekada, për sukseset e Ekipit tonë Kombëtar. Ngushëllime familjes, miqve dhe kuqezinjve, të cilëve u shërbeu me dashuri dhe përkushtim!”, shkroi presidenti në Facebook.

Trishtim për ndarjen e parakohshme nga jeta të fizioterapistit Ylli Mihali, kontributor i palodhur për gati tre dekada,…

Posted by Ilir Meta on Monday, September 13, 2021