Nisma e re është e vjetër, ligji për ndalimin e qeseve plastike prej 18 muajsh në Parlament

Heqja e qeseve plastike është një nismë e vjetër, por që nuk u miratua asnjëherë. Ministria e Mjedisit për disa muaj anonçoi sloganin se më 1 qershor 2020, Shqipëria do të ishte vendi i parë në Europë pa qese plastike. Për këtë u depozitua në Kuvend një projektligj, i cili mbeti në letër.

Heqja e qeseve plastike është një nismë e vjetër, por që nuk u miratua asnjëherë. Ministria e Mjedisit për disa muaj anonçoi sloganin se më 1 qershor 2020, Shqipëria do të ishte vendi i parë në Europë pa qese plastike. Për këtë, u depozitua në Kuvend një projektligj, i cili nuk u miratua asnjëherë.

Nisma e parë e prezantuar nga Edi Rama për kabinetin qeveritar “Rama 3”, është e vjetër.

“Ne do të heqim qeset plastike”, tha Rama pas seancës parlamentare.

Heqja nga përdorimi i qeseve plastike është propozuar në Kuvendin e Shqipërisë që më 17 marsin e vitit 2020 dhe nuk u miratua asnjëherë. Në atë kohë, ish-ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, bëri disa premtime publike.

“Më 1 qershor 2020, Shqipëria vendi i parë në Europë pa qese plastike”, shprehej Klosi në tetorin e vitit 2019.

Si shumë premtime politike, edhe ky nuk u mbajt. Drafti në fjalë është diskutuar në parim në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, por nuk kaloi asnjëherë për miratim për shkak se vetë Ministria e Mjedisit kërkoi më shumë kohë, ndonëse ishte vetë iniciatorja e nismës.

Projektligji, i cili vijon të jetë ende në procedurë parlamentare, ka një nen specifik ku ndalon çdo lloj qeseje plastike në Shqipëri. Për shkelësit e këtij neni kishte edhe sanksione administrative. Konkretisht, për prodhuesit apo tregtarët e qeseve plastike gjoba shkonte deri në 1 milion deri në 1,5 milionë lekë, ndërsa për përdoruesit nga 30 mijë deri në 100 mijë lekë.

Projektligji në fjalë, së bashku me 34 nisma të tjera të mbartura nga legjislatura e shkuar, janë në fazë shqyrtimi, nëse ato duhen tërhequr, apo do të vijojë shqyrtimi edhe me deputetët e sapomandatuar.