Një rus shkatërron ëndrrën për “Grand Slam” të Djokovic

Novak Djokovic është padyshim pjesë e triumviratit që ka dominuar tenisin botëror në dekadën e fundit. Së bashku me Rafael Nadal dhe Roger Federer, ai ka fituar 20 trofe të Grand Slam.

Por pikërisht në finalen e turneut të 21-të, atë të US Open, djali nga Beogradi dështoi në mënyrën më të papritur, duke humbur në tre sete me rusin Daniil Medvevev dhe duke rrënuar një mundësi historike, atë të fitores së Grand Slam final, pra triumfit në një vit të Wimbledon, Roland Garros, Australian Open dhe pikërisht US Open.

Tre turnetë e para ishin fituar nga serbi, dhe pas triumfit kundër Zverev në gjysmëfinale të US Open mendohej se edhe turneu amerikan do të kishte të njëjtin fat, diçka që do ta përjetësonte serbin në historinë e këtij sporti.

Grand Slam është arritur vetëm tri herë, nga Don Budge në 1938 dhe nga miti Rod Laver dy herë në 1962 dhe 1969, praktikisht kur tenisi luhej me materiale dhe ritme krejtësisht ndryshe nga sot.

Djokovic qysh nga seti i parë u duk se po e mbante me vështirësi peshën e historisë, dhe ndeshja e tij ishte rezultati i një seri gabimesh dhe nervozizmi, ndërkohë që Medvevev, që fiton për herë të parë një nga katër turnetë kryesorë, dukej i akullt. Rezultati 6-4 6-4 6-4 ishte më se i drejtë.

I vetmi rezultat pozitiv për serbin ishte mbështetja e publikut, që dëshironte të ishte pjesë e një dite historike, dhe duartrokiti pa kursim serbin që zakonisht nuk ka qenë i preferuari i tyre, të paktën në finalet me Federer dhe Nadal. Lotët e tij dhe falënderimet për publikun në këmbë, ishin gjithsesi një ngushëllim për kampionin ballkanas që përjetoi një nga momentet më dramatike të këtij sporti ndër vite.