Ballkani i Hapur, Rama: Nuk e kuptoj si Kosova nuk e shfrytëzon këtë mundësi për vete, po rri dhe bën teori konspiracioni

Kryeministri Edi Rama kritikoi edhe një herë Kosovën për faktin se nuk përfshihet në nismën Ballkani i Hapur.

Gjatë konferencës për mediat me kancelaren gjermane, Angela Merkel, Rama zbuloi se një ndër pengesat për këtë nismë ka qenë Serbia.

“Nuk e pranonte lëvizjen e lirë të njerëzve, sepse kishte paragjykimin që nëse ne fusnim lëvizjen e lirë të njerëzve si një nga elementet, atëherë lëvizja e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë do të ishte e garantuar. Dhe faktikisht sot është e pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë për veten e vet, por rri dhe bën teori konspiracioni për Open Balkan. Kaq e thjeshtë është”, u shpreh kryeministri.

Nuk është hera e parë që Rama kritikon Kosovën dhe drejtuesit e saj për mospranimin e përfshirjes në këtë nismë, ku deri tani janë angazhuar vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kritikuar Ballkanin e Hapur, duke e quajtur të orientuar nga Lindja, “nga ndikimet ruse dhe kineze”.