Champions League, Juventus ndeshet me Malmoe, Allegri kërkon kthesën

allegri 1 1100x620

Njësoj si 7 vjet më parë. Sfida e parë në Champions League në debutimin e ciklit të parë të Massimiliano Allegrit, kalonte përmes Malmos, me Juventus që fitonte në vitin 2014 me golat e Carlos Tevez dhe Fernando Llorente.

Një argjentinas dhe një spanjoll, ashtu sikurse Alvaro Morata dhe Paolo Dybala dy sulmuesit që pritet të jenë dhe protagonistët e mbrëmjes së sotme. Diferenca është që 7 vjet më parë Juventus e niste kampionatit me pikë të plota pas 3 javëve të para ndërsa këtë ndodhet në vështirësi.

Megjithatë, kundër Malmos është një mundësi e shkëlqyer për të bërë kthesën. Allegri do të ketë të disponueshëm për këtë përballje të gjithë futbollistët amerikano-jugor që munguan ndaj Napolit për shkak të impenjimit me përfaqësueset për eliminatoret e Botërorit.

Mungojnë Chiesa dhe Bernardeschi që vuajnë lëndime të ndryshme por asgjë serioze. Sa i përket formacionit tekniku livornez konfirmon Szczesny në portë dhe mbrojtësin De Ligt prej minutës së parë. “Duhet të përmirësohemi. Objektivi i Juventus është të jetë minimalisht në 8 më të mirat e Champions çdo vit. Më pas duhet të luash shanset e tua. Ne e kemi gjithmonë dëshirën për të fituar”, është një pjesë e fjalëve të Massimiliano Allegrit në prag të transfertës suedeze.