Dështimi për dialogun, Lajçak nesër në Kosovë, nuk dihet nëse viziton arkivat

Dështimi në bisedimet në Bruksel e detyroi të vizitonte Kosovën. Përfaqësuesi special i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, do të qëndrojë në Prishtinë për tre ditë, gjatë të cilave do të zhvillojë një sërë takimesh me krerë institucionalë dhe udhëheqësit politikë.

Pavarësisht se qeveria e ka ftuar atë të vizitojë arkivat e shtetit, përfshirë ato që kanë të bëjnë me UÇK-në, nuk dihet nëse zyrtari do ta bëjë diçka të tillë. Misioni i Lajçak është i qartë, të zhbllokojë bisedimet Prishtinë-Beograd dhe të shqyrtojë një datë për takimin e radhës mes kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Por opozita dhe shoqëria civile në Kosovë nuk beson se vizita e tij do të sjellë diçka konkrete.

“Ai është emisar politik dhe detyrat e emisarëve politik dihen, qëndrimi i Lajcak në raport edhe me shtetin e Kosovës dhe shtetin që përfaqëson janë të njohura”, u shpreh Bekim Haxhiu, deputet i PDK.

“Kosova është pranë procesit zgjedhor dhe me siguri edhe porosit e qeverisë ndaj zotëri Lajcak do të jenë se tani jemi në një proces zgjedhor dhe nuk mund të ketë ndonjë takim të dialogut së shpejti, por pasi Kosova të përfundojë këtë proces dhe pastaj të rifillojnë takimet, apo vazhdojë procesi”, tha Violeta Haxholli, Instituti Demokratik i Kosovës.

Kritika ka edhe për qeverinë Kurti, sa i përket dialogu për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. “Besnik Beslimi në Bruksel ka vepruar sipas direktivave të Albin Kurtit, kjo është një lojë e tij që e ka pranuar të Serbisë me bërë në Kosovë. Është shqetësuese kjo qasje në raport me dialogun dhe mendoj që kjo qasje ka me dëmtuar rëndë procesin e zbardhjes së personave të pagjetur, pasi Serbia do të justifikohet me moshapjen e arkivave sekrete të saj ku mund të zbulohen të dhënat për krime të luftës dhe varreza masive, në veçanti atyre që ndodhen në Serbi”, tha Haxhiu.

“Çka mendoj se është gabim nga Qeveria është që të kenë kujdes në deklarata publike, pasi sentimenti për UÇK-në është i ndjeshëm mes qytetarëve të Kosovës dhe duhet të ketë kujdes si të përmendet kur ngritët kjo çështje”, u shpreh Haxholli.

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë tha se gjatë vizitës, Lajçak do të flasë për zbatimin e marrëveshjeve të dialogut dhe hapat e mëtejshëm në negociata për një ujdi gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.