Merkel në Tiranë, Krasniqi: Nuk jam i sigurt se do të përfitojmë nga kjo vizitë

Analisti Afrim Krasniqi, në studion e “Ditari” në A2 CNN, u shpreh se “jemi me fat që kancelarja Angela Merkel na ka zgjedhur për vizitën e saj të fundit”, por shtoi se nuk është i sigurt se vendi ynë do të përfitojë nga kjo vizitë“, për shkak se Merkel vjen për të dhënë 3 mesazhe, për të cilat, në dijeninë time, Tirana zyrtare nuk ka përgjigje”.

“Bashkëpunimi kryesor është bashkëpunimi ekonomik, ai që quhet tregu ekonomik dhe Shqipëria nuk ka ende potencial për të përfituar nga tregtia rajonale. Ne nuk kemi arritur të përfitojmë nga projektet e mëdha të Procesit të Berlinit, për shkak të mungesës së kapaciteteve dhe burokracisë”, deklaroi Krasniqi.

“Së dyti, koncepti i stabilitetit. Shqipëria është stabël, por mjafton një detaj i vogël në jetën parlamentare që gjithçka të kthehet nga fillimi. Së treti, nuk duhet ta shohim si një person që vjen për të na dhuruar diçka, por si person që vjen për të forcuar marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve”, shtoi Krasniqi.