Moshapja e negociatave, Merkel: E mirëkuptoj zhgënjimin, duhet t’i besojmë njëri-tjetrit

Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha nga Tirana se e kupton reagimin e Shqipërisë për vendimin e moshapjes së negociatave. Nga Tirana, ku mori pjesë në takimin me udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Merkel tha: “Kam mirëkuptim për zhgënjimin tuaj. Deputetët gjermanë i lexojnë raportet për plotësimin e kushteve dhe më duhet të them që në momentin që konstatohet që kushtet janë të përmbushura duhet të mbahet fjala, përndryshe do të kemi zhgënjim. Ne duhet t’i besojmë njëri-tjetrin”.

Merkel shtoi se Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur kushtet për të nisur negociatat. “Për fat të keq nuk u realizua dot për shkak të vetos bullgare, por kemi premtuar se do të jemi pranë këtij procesi. Shpresoj që deri më 6 tetor të kemi arritur progres”, tha Merkel.

Shumëçka ka ndryshuar në marrëdhëniet e popujve të Ballkanit, konstatoi Kancelarja. “Udhëheqësit takohen më shpesh me njëri-tjetrin. Kemi folur gjithashtu për projekte të rëndësishme infrastrukturore, si nisja e punimeve të autostradës së paqes”.

Merkel tha se diskutoi me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor që, në momentin kur këto vende të futen në BE, kanë edhe detyrime që duhet të përmbushin. “Prandaj ka shumë mundësi për bashkëpunimin rajonal. Prandaj i jam shumë mirënjohës për 4 marrëveshjet e nënshkruara deri tani. Jo të gjithë i kanë nënshkruar, por kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunojnë, aq më i fortë do të jetë edhe procesi i Berlinit. Procesi i Berlinit nuk është zëvendësim për anëtarësimin në BE. Gjermania ka një interes të vetin në anëtarësimin e këtyre shteteve në BE, por e përshëndes bashkëpunimin rajonal. Zemra ime rreh për këtë rajon… Ndoshta do të më nxis dielli që të vij dhe të ndjek më nga afër zhvillimin e këtyre vendeve”.