Përcillet në banesën e fundit Ylli Mihali

I buzëqeshur, sikurse në këtë fotografi që do të ruhet gjatë në memoriet e familjarëve dhe miqve të tij, shfaqej gjithmonë Ylli Mihali brenda dhe jashtë fushave të blerta.

Fizoterapisti i ekipit kombëtar që për 3 dekada u kujdes për shëndetin e qindra sportistëve të ekipit kuqezi, por edhe klubit të Tiranës, u përcoll këtë të martë për në banesën e fundit mes lotësh, lulesh dhe fjalësh ndër më të ngrohtat nga njerëzit që e njohën nga pranë.

Trishtimi ishte i madh duke nisur nga presidenti i Federatës së Futbollit e deri te futbollistë të brezave të ndryshëm që ndanë me Yllin shumë momente në jetën e tyre sportive.

Ylli Mihali humbi jetën si pasojë e Covid-19, ndërsa luftoi me virusin për disa ditë i intubuar madje edhe i vaksinuar me të dyja dozat.