
Procesi i Berlinit, Merkel: Nuk ka dështuar, shumëçka është në rrugën e duhur
Kancelarja Angela Merkel, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, deklaroi se “Procesi i Berlinit nuk ka dështuar”, pasi sipas saj, “shumë gjëra kanë ndryshuar në drejtimin e bashkëpunimit”.
“Janë procese që kanë nisur, si rrjeti i shkëmbimeve rinore apo shkencore. Mendoj se shumë gjëra kanë ndryshuar në drejtimin e bashkëpunimit. Rama dhe Vuçiç janë takuar disa herë dhe mendoj se kanë ndryshuar shumë gjëra dhe shumëçka është në rrugën e duhur”, deklaroi Merkel.
Ndërsa kryeministri tha: “Besoj se duhet ta shikojmë këtë proces në kontekst historik. Kur kancelarja na ftoi për këtë proces në 2014, ishte hera e parë që liderët e të gjitha vendeve uleshin në një tryezë jo për t’u vrarë, as për të folur për të shkuarën, por për të folur për të ardhmen. Ky proces i hapi rrugë vendosjes së një komunikimi në funksion të zhvillimit rajonal. Procesi i Berlinit ka nevojë për kohën e vet, mekanizmat për t’u vënë në lëvizje janë të avashtë. Edhe Ballkani i Hapur është rezultat i këtij procesi, pasi ky proces na bëri të kuptojmë se nga bashkëpunimi mund të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët”.