BE 5.7 mln euro për regjistrimin e pronave, Yuri Kim: Zgjidhja e të drejtave të pronësisë, do të hedhë themelet për zhvillim më të madh

Yuri Kim 23 qershor 10 1100x620

Ambasadorja Yuri Kim ka shpërndarë një postim të ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca, i cili njofton se falë ndihmës me 5.7 milionë euro nga Europa, Shqipëria do të ketë një hartë të re të regjistrimit të pronave.

“Falë ndihmës nga BE , Shqipëria do të ketë një hartë të re të regjistrimit të pronës. Me 5.7 milion €, Programi “BE for Property Rights” do të përmirësojë sigurinë ligjore dhe do të promovojë më shumë investime të huaja. Kjo është një reformë vendimtare për njerëzit dhe për integrimin e Shqipërisë”, shkruan Soreca.

Kryediplomatja amerikane ka mbështetur nismën duke thënë se zgjidhja e të drejtave të pronësisë është e domosdosshme dhe do të ngrejë themelet për më shumë investime dhe zhvillim.

“Pajtohem plotësisht. Zgjidhja e të drejtave të pronësisë do të ngrejë themelet për një zhvillim më të madh, investime dhe barazi mundësish. Është e domosdoshme.” shkruan Yuri Kim mbi postimin e Sorecës.