Vaksinim edhe në universitete, nis në atë Bujqësor të Tiranës, do të shtrihet edhe në fakultete të tjera

Vaksinimi kundër Covid-19 nisi edhe në ambientet e universiteteve dhe i pari që e aplikoi ishte ai Bujqësor i Tiranës. Në këtë institucion arsimor po aplikohen vaksinat AstaZeneca dhe Coronavac.

Të dorëzuar para detyrimit për t’u vaksinuar, disa studentë thonë se do imunizohen në ditët e ardhshme.

Disa prej studentëve janë paraqitur me një dokument në dorë, me të cilin pretendojnë të vërtetojnë vaksinimin. Por dokumenti nuk ngjan aspak me atë që lëshohet nga autoritet shëndetësore.

Më shumë se 70 për qind e stafit akademik, atij ndihmës dhe atij administrativ janë vaksinuar tashmë në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Zëvendës-rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Ilir Kapaj thekson se është e rendesishme që fillimi i vitit të ri akademik duhet ti gjejë të gjithë të vaksinuar.

Vaksinimi pranë ambienteve të universiteteve pritet të shtrihet edhe në institucione të tjera të arsimit të lartë në ditët në vijim, ndërsa 30 shtatori mbetet afati i fundit për studentët dhe pedagogët.