Dërgesat e emigrantëve, rriten transfertat, por munguan të ardhurat nga puna

Dërgesat e emigrantëve shqiptarë në atdhe janë rritur ndjeshëm gjatë gjysmës së parë të këtij viti, por jo të gjitha familjet e varura nga këto të ardhura kanë pasur më shumë në xhep gjatë pandemisë. Kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia ka goditur veçanërisht më të varfrit, duke i bërë paratë që marrin nga jashtë edhe më jetike se kurrë.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për Janar-Qershorin, emigrantët kanë dërguar 340 milionë euro në shtëpi, shifër ndjeshëm më e lartë se vitin e shkuar, kur kufizimet e lëvizjes dhe bllokimi i kanaleve informale vështirësoi dërgesat në vend.

Pamundësia për të dërguar para vetë fizikisht, me një të njohur, apo me autobus ka rritur përdorimin e kanaleve zyrtare si pikat e transfertave të parave. Dhe kjo mund të ketë ndikuar në këtë rritje statistikore.

Nga ana tjetër, familjet shqiptare që varen nga paratë nga jashtë patën më pak para në dispozicion edhe për një arsye tjetër. Një numër i madh pret të ardhura nga puna, qoftë sezonale apo e rregullt e familjarëve të tyre.

Mbyllja e kufijve ka pamundësuar lëvizjet e tyre, duke bërë që kjo formë dërgesash të reduktohet ndjeshëm. Për gjysmën e parë të vitit janë vetëm 100 milionë euro të mbërritura në xhepat e familjeve shqiptare, kundrejt 159.3 milionë për të njëjtën periudhë përpara pandemisë.

Një diferencë e madhe nëse konsiderohet që familjet që presin remitanca kanë një buxhet shumë herë më të vogël se sa pjesa tjetër,e çdo lek mund të bëjë diferencën për ushqim, veshje, apo shkollimin e fëmijëve.