Manastirliu në UNICEF: Vijnë 200 mijë vaksina për gripin, 144 mijë anti-COVID, do të përfshijmë edhe vaksinën HPV

Manastirliu etleva kadilli 1100x620

Më shumë se 200 mijë vaksina për gripin e zakonshëm dhe 144 mijë të tjera kundër COVID-19 do të mbërrijnë së shpejti në Shqipëri. Është ky lajmi i dhënë nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, gjatë vizitës së selisë qendrore të UNICEF në Kopenhagën të Danimarkës.

“Për sa i përket vaksinës së gripit janë më shumë se 200 mijë vaksina, të cilat pritet që të vijnë brenda tetorit dhe muajit nëntor”, deklaroi Manastirliu, ndërkohë që për vaksinat kundër pandemisë ajo shtoi se “jemi në pritje që të kemi dhe 144 mijë doza vaksinash të radhës, që presim të vijnë brenda disa javëve, nga bashkëpunimi që kemi me instrumentin e Covax-it. Dhe sigurisht të vijojmë me kalendarin e lëvrimit pasi në tërësi në këtë instrument ne kemi blerë apo parablerë 1 milion e 140 mijë doza vaksine.

Manastirliu shtoi se po merret parasysh edhe futja në kalendarin e vaksinimeve të vaksinës HPV, që parandalon kancerin  e qafës së mitrës.  

“Ne jemi duke diskutuar me UNICEF-in, në kuadër edhe të strategjisë që ne kemi për parandalimin dhe kontrollin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës dhe përfshirjen e vaksinës së human papiloma virusit, pra HPV-së, në kalendarin e vaksinimit. Jemi në diskutime ende. Por sigurisht që e kemi si objektiv në strategjinë tonë, përfshirjen e kësaj vaksine për vajzat e moshës 9-14 vjeç”, sqaroi ministrja.

Manastirliu u takua në selinë e UNICEF me drejtoreshën e prokurimeve të organizatës, shqiptaren Etleva Kadilli, e cila deklaroi se UNICEF është “gjithmonë në shërbim dhe në dispozicion të Shqipërisë dhe vendeve të tjera në këtë situatë kaq të vështirë të pandemisë. Shpresojmë që shumë shpejt do të mundësojmë lëvrimin e dozave të ndryshme”.