Nga rimëkëmbja te modernizimi, publikohet programi qeverisës i “Rama 3”

Kryeministria Qeveria 1100x620

Publikohet programi i qeverisë “Rama 3” që pritet të marre nesër miratimin në Kuvend.

Rimëkëmbja pas pandemisë dhe tërmetit, zhvillimi i ekonomisë, modernizimi i sektorëve kyç, forcimi i familjes dhe një Shqipëri e sigurtë janë cilësuar si shtyllat kryesore të kabinetit te ri.

Ajo që bie në sy në këtë program është rritja e pagave për mjeket, infermieret dhe mësuesit, që rriten me 40% deri në fund të mandatit të tretë. Po ashtu rritje do të ketë edhe paga mesatare e punonjësve të administratës publike me 30 %.

Nder të tjera, një premtim i kësaj qeverie është edhe ndërtimi i aeroportit të Vlorës, brenda këtij mandati, si dhe transformimi i qytetit bregdetar në një hub të shpërndarjes së gazit, pas shndërrimit të TEC-it në një impiant me gaz të lëngshëm.

Në ekonomi, qeveria premton edhe një vëmendje më të madhe për produktet shqiptare, ku industria e fasonerisë “nuk do të jenë më të kufizuara në regjimin e përpunimit për ‘brandet’ ndërkombëtare, por do të kalojnë në nivelin tjetër, në ciklin e plotë të prodhimit duke promovuar markën “Made in Albania”, me të cilën do të konkurrojmë globalisht”.

Me përfundimin e disa akseve të rëndësishme si ai Delvinë-KArdhiq si dhe rruga e Arbrit, por edhe hekurudha Tiranë Durrës dhe fillimi i aeroportit të Sarandës,  qeveria synon që brenda mandatit vendi “të kthehet në zgjedhjen e parë si destinacion turistik për rajonin dhe një destinacion më rëndësi për të gjithë Europën”.

Në fushën e arsimit, prioritet do të jetë ndërkombëtarizimi përmes binjakëzimit me universitete të njohura të huaja, si dhe “arsimimi në fushat prioritare si shkencat natyrore, teknologji e informacionit dhe inxhinieri, por mundësi reale për të qenë sipërmarrësit e ardhshëm në fushat e inovacionit e teknologjisë, për të konkurruar denjësisht në tregun global”.