“Përjashtimi i Berishës nga grupi thellon përçarjen në parti”, FRPD kërkesë me 30 firma për referendum

Kryesia e Forumit Rinor të Partisë Demokratike ka kërkuar thirrjen e një referendumi brenda Partisë Demokratike, për t’i dhënë mundësinë anëtarësisë që të shprehet në lidhje me vendimin e kryetarit Basha për përjashtimin e ish-Kryeministrit Berisha nga grupi parlamentar. Shkresa e firmosur nga kryesia e FRPD-së i është dërguar Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi dhe kreut të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka.

Firmëtarët e quajnë vendimin në shkelje të plotë të statutit, parimeve dhe vlerave të PD-së. Kryesia e FRPD-së paralajmëron mbi rrezikun që vendimi për të përjashtuar Berishën mbart për përçarjen e thellë dhe të parikuperueshme të partisë.

Për këtë arsye, kërkohet që vendimi t’i nënshtrohet me domosdoshmëri një referendumi në anëtarësinë e Partisë, si e vetmja rrugë për të ruajtur unitetin e Partisë Demokratike. Mes 30 firmëtarëve, bie në sy mungesa e emrit të kreut të FRPD-së, Belind Këlliçi.