Premtimet për biznesin, transformim nga fason në markat “Made in Albania”

Sipërmarrja shqiptare ka pritur gjatë për të mësuar se cili do të jetë vizioni i qeverisë për mbështetjen e biznesit në katërvjeçarin e ardhshëm.

Prodhimi “Made in Albania”, bujqësia dhe turizmi, nxitur nga investime publike si rrugët, portet dhe aeroportet janë në fokus të programit socialist.

Më ambiciozi është padyshim transformimi i manifakturës shqiptare, e cila do të kalojë në nivelin tjetër: nga fason në prodhimi e markave shqiptare, me të cilat do të konkurrohet globalisht.

Për të realizuar këtë, qeveria do të vendosë në dispozicion një linjë garancie prej 50 milionë eurosh për prodhuesit, për përballimin e kostove të linjave të reja të prodhimit. Ndërsa nga ky lloj instrumenti garancie do të përfitojë edhe turizmi; ndjekur nga një fond prej 10 milionë eurosh për start-up e reja dhe 5 milionë euro për sipërmarrjet në fushën e transportit.

Për sipërmarrësit premtohet edhe vendosja e një sistemi automatik të rimbursimit të TVSH-së duke nisur nga 1 Janari 2023, për të shmangur krijimin e detyrimeve të prapambetura nga qeveria.

Bujqësia, e kritikuar si një ndër fushat më pak të financuara në krahasim me rajon, pritet të përfitojë edhe nga rritja e mbështetjes së drejtpëdrejtë për fermerët në 70 milionë euro; si dhe nga lehtësitë fiskale si TVSH zero për importimin e makinerive bujqësore dhe ulja e tatim fitimit në 5% për bashkimet bujqësore.

Fshati në tërësi premtohet të kalojë momentin e tij të rilindjes, me fokus agroturizmin.

Ndërsa biznesi i vogël, krahas regjimit të taksës zero, premton të çlirohet nga vizitat e inspektorëve, që nuk duhet të jenë më shumë se 1 herë në vit. Teknologjia e informacionit është gjithashtu një prioritet, me mbulimin e kostove të trajnimit të punonjësve dhe uljen e tatim fitimit për sipërmarrjet në këtë fushë në 5%.

Në program, qeveria ka parashikuar edhe një zë të veçantë për emigrantët e rikthyer, që nëse do të hapin një biznes të tyrin, mund të përfitojnë një grant prej 5 mijë eurosh.