Qeveria e re, nuk ka ndryshime thelbësore në strukturë, numri i ministrave i njëjtë

Qeveria e re që pritet të votëbesohet në Kuvend, pas dekretimit nga presidenti, nuk do të ketë ndryshime thelbësore në strukturën e saj. Numri i anëtarëve të kabinetit do të jetë i njëjtë me atë të qeverisë së kaluar, me 17 poste. 

Nëse me qeverinë e mandatit të dytë tentoi të përqendronte dikasteret duke krijuar disa superministri, këtë herë ndryshime anon kryesisht te emrat dhe te raporti gjinor, teksa kreu i qeverisë promovoi në poste ministrash, drejtues drejtorish apo figura të investuara prej tij dhe më herët.

Në ministritë kryesore drejtuesit u rikonfirmuan, ndërsa ndryshimet strukturore ndodhën vetëm në rang ministrash shteti, duke shkrirë atë të Diasporës ndërsa u krijuan dy të reja.

Por, kjo nuk është hera e parë që Rama krijon, apo shkrin poste në qeveri. Kur në 2013 mori pushtetin bashkë me LSI, “sajoi” 5 ministri, duke e çuar numrin e anëtarëve të kabinetit në 21, nga 16 që kishte ajo Berisha. 16 ministri u drejtuan nga socialistët, ndërsa 5 iu besuan Lëvizjes Socialiste për Integrim. 

Kur ja hoqi LSI-së duart nga tepsia, në 2017, dhe timonin e mbajti të gjithin vetë, Rama bëri një ndryshim radikal në kabinet, duke regjistruar një ndër qeveritë më të vogla që ka njohur Shqipëria në shumë kohë me vetëm 15 anëtarë. 

Përveç ministrive që u bënë bashkë, si Financat dhe Ekonomia apo Energjia me Infrastrukturën, atëherë kryeministri shkurtoi ekipin me 4 poste si Integrimi, Inovacioni, Zhvillimi Urban, dhe Çështjet Vendore.

Gjatë rrugës, riktheu në kabinet ministrin për Marrëdhëniet me Parlamentin, ndërsa tërmeti ringriti Arben Ahmetaj si ministër i Rindërtimit.