Rreziku nga të pavaksinuarit, Brataj: Më shumë të prekur se shifrat zyrtare, raste të rënda dhe mes të rinjve

Numri i të infektuarve nga koronavirusi është shumë më i lartë se sa shifrat zyrtare që raportohen nga autoritetet shëndetësore. Për Skënder Bratajn, situata nga pandemia në këtë periudhë është shqetësuese.

Vetëm në 24 orët e fundit, mbi 40 pacientë janë dërguar në spitalet Covid për trajtim të specializuar. Sipas kreut të Urgjencës Kombëtare, qytetarët po neglizhojnë shenjat e Covidit, kryerjen e tamponit dhe karantinën.

Mbi 30% e të infektuarve nga Delta janë grupmoshat e reja dhe të pavaksinuara. Sipas Bratajt, nuk mungojnë rastet e rënda tek të rinjtë e sëmurë dhe të shtruarit në spital. Por, si i shpjegon Brataj humbjet e jetës që kanë ndodhur te pacientë të vaksinuar me të dyja dozat?

“Ka shumë faktorë. Gjendja shëndetësore, sëmundjet bashkëshoqëruese, por edhe ndërlikimet në sisteme të ndryshme që shkakton Covid”, tha Brataj.

Skënder Brataj është një nga zërat e fortë pro vaksinës. Ai këshillon qytetarët, veçanërisht të rinjtë, të orientohen nga shkenca.

Edhe në Shqipëri, vaksinimi kundër Covid-19 po shton skeptikët dhe kundërshtitë për marrjen e saj. Nga ana tjetër, ekspertët e shëndetësisë këmbëngulin fort se marrja e të dyja dozave të mbron nga format e reja dhe se të pavaksinuarit do të bëhen shkak për krijimin e mutacioneve të reja të Covid-19.