Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 17%
  • Qendrat historike 17%

Shqipëria 2021-2025, premtimet e programit qeverisës të kabinetit “Rama 3”

Nga A2 CNN
15 Shtator 2021, 19:22 | Politikë
Shqipëria 2021-2025, premtimet e programit qeverisës të kabinetit

Rritje pagash, lehtësi në taksa dhe më shumë mbështetje financiare për bizneset dhe familjet shqiptare. Janë këto kryefjalët që përcaktojnë ekonominë dhe Shqipërinë e katër viteve të ardhshme në programin qeverisës të socialistëve, me të cilin do të kërkojnë besimin e Kuvendit.

5 janë shtyllat ku do të mbështetet mandati i socialistëve duke nisur nga rimëkëmbja e ekonomisë, si sfida më emergjente pas tërmetit dhe pandemisë. Qeveria “Rama 3” zotohet të zhdukë çdo gjurmë të tërmetit deri në pranverën e vitit të ardhshëm, me përfundimin e banesave dhe pallateve, ku do të strehohen të gjithë banorët që humbën shtëpinë.

Ndërsa për pandeminë, garantohen dozat e vaksinimit për të gjithë popullsinë mbi 16 vjeç deri në Shkurt 2022.

Premtimet për ekonominë janë edhe më ambicioze, duke nisur nga një rritje ekonomike prej 4.5% në vit, ulja e borxhit publik nën 60% nga një nivel prej afro 80% të parashikuar deri në fund të këtij viti. Për të vazhduar me rritjen e të ardhurave për shqiptarët me 20% brenda një mandati, ku paga mesatare synohet të rritet me ¼, nxitur kryesisht nga administrata që do të marrë një rritje prej 40% për mësuesit, mjekët e infermierët dhe 30% për pjesën tjetër.

https://a2news.com/2021/09/14/meta-dekreton-kabinetin-qeveritar-rama-3/

Tek pagat, ndryshimet e pritshme për t’u vënë në zbatim nga 1 Janari i vitit të ardhshëm është mostaksimi i pagave deri në 40 mijë lekë dhe rritja e fashës që sot taksohet me 23% në 200 mijë lekë të reja. Kjo nënkupton një përfitim prej 1,300 lekësh në muaj për ata që paguhen më pak dhe deri në 6,300 lekë për rrogat më të larta.

Krahas rrogëtarëve, edhe të moshuarve iu premtohet një rritje e përvitshme pensionesh me 5%, po aq sa është rritur pensioni mesatar në 5 vitet e fundit mbledhur së bashku. 

Premtimi ndoshta më domethënës i programit qeverisës ka të bëjë me fundin e një kalvari të gjatë vuajtjesh për të gjithë pronarët në vend, ku brenda vitit 2022 asnjë banesë që mund të legalizohet, nuk do të ketë mbetur pa legalizuar.

Në program prezantohen edhe shumë elementë socialë, si rritja dhe zgjerimi i programit të ndihmës ekonomike, ndihma me 10 mijë lekë në muaj për shpenzimet e kopshteve dhe çerdheve për familjet me më pak të ardhura, investimi i 100 milionë eurove për ndërtimin e 2 mijë banesave sociale dhe subvencionimi i familjeve të reja me 1 milion lekë për të mundësuar pagesën fillestare dhe zbutur interesat në blerjen e një shtëpie.

Vizioni për Shqipërinë e mandatit të tretë, përfshin edhe sfidat e përhershme si shëndetësia dhe arsimi.

Krahas investimeve publike dhe shtimit të qendrave spitalore, premtohet rritje e aksesit në shëndetësi edhe për zonat më rurale dhe zgjerimi i paketave që ofrohen falas në shtet, si ajo okulare dhe orale për fëmijët.
Ndërsa objektivi për arsimin është ndërkombëtarizimi i universitetit, duke hapur filiale dhe programe studimi nga universitetet më të mira ndërkombëtare dhe ofrimi i disa programeve të studimit në gjuhën angleze në të gjitha universitetet shqiptare.

https://a2news.com/video/grupi-i-pd-mblidhet-para-seances-programi-i-ri-qeverises-pritet-te-kete-debate/

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani