U përjashtua nga grupi parlamentar i PD, Berisha nis nesër “Foltoren” me demokratët

berisha A2 1100x620

Ish-kryeministri Sali Berisha, me anë të një statusi në Facebook, ka njoftuar se nga nesër do të nisë bashkëbisedimin me demokratët në të gjithë vendin.

“Foltorja për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur” do të nisë në kryeqytet, për të udhëtuar në qytetet e tjera të vendit.

“Të dashur miq, ditën e enjte, më datë 16 shtator, ora 18:00, nisim ciklin e “Foltores për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur”. Foltorja do të jetë një bashkëbisedim me demokratë dhe demokrate që nis në Tiranë dhe do të udhëtojë në mbarë vendin. Jeni të mirëpritur”, shkruan Berisha në rrjetin social.

Po ditën e sotme, Kryesia e Forumit Rinor të Partisë Demokratike ka kërkuar thirrjen e një referendumi brenda Partisë Demokratike, për t’i dhënë mundësinë anëtarësisë që të shprehet në lidhje me vendimin e kryetarit Basha për përjashtimin e ish-kryeministrit Berisha nga grupi parlamentar. Shkresa e firmosur nga kryesia e FRPD-së i është dërguar Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi dhe kreut të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka.

Firmëtarët e quajnë vendimin në shkelje të plotë të statutit, parimeve dhe vlerave të PD-së. Kryesia e FRPD-së paralajmëron mbi rrezikun që vendimi për të përjashtuar Berishën mbart për përçarjen e thellë dhe të parikuperueshme të partisë.

Për këtë arsye, kërkohet që vendimi t’i nënshtrohet me domosdoshmëri një referendumi në anëtarësinë e Partisë, si e vetmja rrugë për të ruajtur unitetin e Partisë Demokratike. Mes 30 firmëtarëve, bie në sy mungesa e emrit të kreut të FRPD-së, Belind Këlliçi.