Vaksinimi i studentëve në Vlorë, të rinjtë neglizhojnë, ende të pabindur

Vaksinimi kundër COVID-19 i të rinjve në përgjithësi, por edhe i studentëve në mënyrë të veçantë duket se po has në kundërshtinë e këtyre të fundit.

Pavarësisht paralajmërimeve të dhëna se mësimi në auditorë do të zhvillohet vetëm për studentët dhe stafin e pedagogëve që janë të vaksinuar, studentët duket se ende nuk janë bindur për të marrë dozat e vaksinës.

Të pyetur nëse i kanë marrë vaksinat, disa prej studentëve të universitetit të Vlorës shprehen se jo. “Nuk kemi dëshirë ta bëjmë, me thënë të drejtën, por po na u kërkua, do ta bëjmë”, thonë për A2 disa studentë.

Zevendesrektorja e universitetit të Vlorës, Efrosina Londo, shprehet së për momentin nuk ka ndonjë urdhër për vaksinimin e detyrueshëm të studentëve, ndërsa në ambientet e universitetit po zbatohen masat anti-covid me maska dhe distancën.

Zevendesrektorja e universitetit të Vlorës, Efrosina Londo

“Deri më tani ka një datë deri më 30 shtator, por nuk është e detyrueshme dhe kemi vënë pengesa, thjesht po zbatojmë protokollin”, thotë ajo.

Pritet të shikohet në ditët e para të muajit tetor nëse vaksinimi për studentët do të vendoset i detyrueshëm për ata që do të ndjekin mësimet në auditorë.