Vizita në Gjermani, Osmani e konsideron të rrezikshme nismën “Open Balkans”

Vizitën në Gjermani e shfrytëzoi për të treguar qëndrimin e prerë të Kosovës për nismën “Ballkani i Hapur”. Presidentja, Vjosa Osmani, u rreshtua krah kryeministrit Albin Kurti, teksa tha se iniciativa rajonale po përpiqet të zëvendësojë “Procesin e Berlinit” dhe kjo do ta vonojë integrimin europian të rajonit.

“Ballkani i hapur është i rrezikshëm, i vonon integrimet europiane dhe synon të zëvendësojë procesin e Berlinit, gjë që është e pamundur dhe ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë”, u shpreh  presidentja.

Osmani shpjegoi dhe arsye të tjera të kundërshtimit.

“Kjo iniciativë, e cila ka filluar në Novi Sad të Serbisë, asnjëherë nuk ka pasur për qëllim ta trajtojë Kosovën të barabartë me vendet e tjera të rajonit dhe njëkohësisht, Serbia vazhdon ta mohojë të drejtën tonë për të ekzistuar”, shtoi Osmani.

Duke diskutuar për të ardhmen e Kosovës në Rrjetin për Politikë të Jashtme paralajmëroi edhe aplikimet e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Moratoriumi ka mbaruar tani dhe po punojmë së bashku me partnerët tanë amerikanë sa i përket agjendës sonë për njohje dhe ofertave të organizatave ndërkombëtare. Më lejoni të jem e qartë, nuk mendoj që mund të anëtarësohemi në organizata ndërkombëtare nëse nuk koordinohemi me aleatët tanë”, përfundoi presidentja.

Ndër të tjera, Osmani i bëri thirrje Serbisë që ta pranojë realitetin për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, ndërsa shtoi se nuk do të pranojë ndryshimin e Kushtetutës për të krijuar nivele të treta të qeverisë.

Gjatë qëndrimit në Gjermani, presidentja e Kosovës u prit dhe nga homologu Frank-Walter Steinmeier në Berlin, të cilit i kërkoi ndihmë për liberalizimin e vizave.