Votëbesimi i qeverisë: Meta dha dritën jeshile, Nikolla thërret seancën maratonë

Këtë të enjte Edi Rama do të përballet me Lulzim Bashën në sallën e Kuvendit. Pas dekretimit të Ministrave, Lindita Nikolla thirri seancën plenare me rend dite prezantimin e programit politik të qeverisë dhe votëbesimin e kabinetit.

Kryeparlamentarja prishi traditën e seancave të shkurtra të Gramoz Ruçit ndonëse pandemia vijon të prekë çdo ditë të qindra qytetarë.

Konflikti i dalë në pah në dy seancat e para mund të konsiderohen vetëm një nxehje kordash vokale. Këtë të enjte rikthehet debati klasik politik shqiptar në një seancë maratonë të ndarë në tre pjesë. Fillimisht do të jetë radha e kabinetit të bëj prezantimin e programit politik, më pas radha e pyetjeve ndërsa pasdite, debati dhëmbë më dhëmbë me opozitën e cila e nuk e ka ndryshuar qasjen e saj ndaj kryeministrit.

Përpara se sa të ulen në tryezën e Këshillit të Ministrave, 17 anëtarët do të shkojnë sërish tek Ilir Meta, këtë herë për t’u betuar, vlera e të cilit duhet ceremoniale pasi do ta bëjnë përpara personit që vendosën ta shkarkojnë pak muaj më parë.