Basha: Demokracia shqiptare është ekzekutuar nga Edi Rama

Përditësuar më: 16/9/2021, ora 18:45
Lulzim Basha ne foltoren e kuvendit  1024x576

Basha: Demokracia shqiptare është ekzekutuar nga Edi Rama

Përditësuar më: 16/9/2021, ora 18:45

“Demokracia shqiptare nuk është në krizë, ajo ka vdekur në shtyllat e saj kryesore, në themelin e saj që janë zgjedhjet e lira. Nuk vdiq për shkaqe natyrore, paçka se sëmundja e saj ishte e rëndë. Demokracia shqiptare është vrarë. Gishti tregues për të treguar përgjegjësit e këtij krimi mund të drejtohet te shumë nga ne në këtë sallë apo tek ata që nuk janë më, por ekzekutori i fundit dhe i vetëm i kësaj është Rama”.

Kështu u shpreh kreu demokrat, Lulzim Basha, në fjalën e tij të parë nga foltorja e Kuvendit në këtë legjislaturë të re. Basha theksoi se Rama duhet të ishte duke u marrë me drejtësinë për atë që i ka bërë vendit.

“Nëse nuk do të ishte kështu, pra nëse demokracia nuk do të ishte ekzekutuar në instrumentin më të rëndësishëm të saj që janë zgjedhjet, ky njeri nuk do të ishte duke treguar përralla për atë që nuk ka bërë dhe për atë që nuk do të bëjë në të ardhmen, por do të ishte duke u marrë me avokatët e tij mbrojtës sepse do të kishte punë me drejtësinë për çfarë i ka bërë vendit bashkë me ortakët e tij.

Nëse zgjedhjet nuk do të ishin goditur për t’ju mohuar qytetarëve shprehjen e vullnetit të tyre të lirë, askush me bilancin e tij të zi, nuk do të kishte shansin të dilte në këtë foltore për të përsëritur gënjeshtra të reja dhe për të amnistuar krime dhe dështime të vjetra”, tha Basha.