Fondi për “Made in Albania”, Shkodra: Tallje me industrinë prodhuese, problem taksat vendore dhe eksportet

16 SHTATOR DITARI 09 00 CL frame 43488 1100x620

Futja në programin qeverisës e fondit prej 15 milionë eurosh për linjat e prodhimit “Made in Albania”, por në formën e një kredie, për sekretarin e Shoqatës së Prodhuesve Arben Shkodra, është absurditeti më i madh. Sipas tij, për transformimin e manifakturës duhet së pari një strategji dhe plan i mirëfilltë industrial.

“Nëse ne diskutojmë për manifakturën duhet të diskutojmë për industrinë. Duhet të flasim për strategji. Ne nuk kemi plan industrial, nuk kemi afat. Çështja është që fillon me një strategji, ne nuk e dimë sa të industrializuar jemi. Për çfarë do të jepet kjo garanci sovrane, kush do ta akesesojë dhe për çfarë do të aksesojë? Ne kemi dy garanci sovrane me marrëveshje të këqija ku aksesohen ato që nuk kishin nevojë. Ajo që ne kemi kërkuar një strategji dhe plan industrializimi. Kjo duhet të bëhet në bashkëpunim me ne. Si do të shkojë industria shqiptare në 20 vitet e ardhshme, më pas të diskutojmë instrumentet”.

Ai evidentoi problemet në eksport që nga gjetja e tregjeve e deri te likuidimi i faturave dhe tha se diplomacia shqiptare në këtë aspekt është totalisht e paralizuar. Shkodra kërkon nga shteti që të vërë në funksion mekanizmat për të siguruar eksportin.

“Ne kemi probleme në eksport, në gjetjen e tregjeve të reja, kemi diplomaci ekonomike totalisht të paralizuar. Ambasadorë që nuk kanë asnjë lloj kontakti, shumë pak ambasadorë në marrëdhënie miqësore me ne komunikojnë me ne, të tjerët flenë gjumë. Kemi problem të likuidimit të faturave në eksport. Këto janë çështje të prekshme. Unë prodhoj, gjej tregun dhe marr pagesën pas 120 ditësh. Unë nuk kam nevojë për kredi e realizoj vetë, por dua të më sigurosh eksportin, shteti të më vërë në funksion mekanizmat, kur has në problematika”.

Akuza, Shkodra ngriti edhe ndaj pushtetit vendor në lidhje me taksat vendore dhe shtoi se problem është edhe TVSH-ja për lëndët e para në eksport.

“Ne sot kemi problem me TVSH në lëndët e para. Kemi rritje të lëndëve të para. Pse duhet të paguajmë taksa vendore infrastrukture kur ndërtojmë një fabrikë. Ne trajtohemi si mos më keq nga pushteti vendor. Nuk është i decentralizuar. Rama i thërret si delet në kryeministri. Ne kemi sot probleme kardinale dhe këto që janë sot në program ekonomik janë sa për të kaluar radhën, këto janë të tallen me industrinë prodhuese”.