Lajçak në Kosovë për dialogun, Kurti: Jemi palë e barabartë me Serbinë, jo temë

Përditësuar më: 16/9/2021, ora 12:49

Lajçak në Kosovë për dialogun, Kurti: Jemi palë e barabartë me Serbinë, jo temë

Përditësuar më: 16/9/2021, ora 12:49

Në dialogun me Serbinë, Kosova është palë e barabartë dhe jo temë. Kështu u shpreh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të zhvilluar me të dërguarin e posaçëm Miroslav Lajçak, sipas njoftimi të kryeministrisë.

“Duhet të pranohet realiteti dhe të jemi në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Lajçak, i cili po zhvillon një vizitë treditore në Kosovë, nuk ofroi shumë detaje pas përfundimit të takimit, por sqaroi se është biseduar për hapat e mëtejshëm të dialogut dhe bashkëpunimin rajonal. Çështja e hapjes së arkivave nga ana e Kosovës dhe e Serbisë, e cila ka nxitur debate të shumta në vend, nuk ishte pjesë e diskutimeve, sipas Lajcak.

“Kemi diskutuar është për bashkëpunimin rajonal, por çështja më e rëndësishme është dialogu dhe situata aktuale e dialogut. Unë do të qëndroj këtu tre ditë, do të zhvilloj shumë takime dhe do të bëj vlerësimin në fund. Sapo kam filluar, është herët për të dhënë detaje”.

Në takimin e fundit mes delegacioneve të të dyja vendeve në Bruksel, u diskutua për mundësinë e hapjes së arkivave shtetërore, lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti theksoi më vonë se autoritetet e vendit janë të hapura dhe transparente dhe se fati i të pagjeturve duhet të zbardhet. Por deklaratat u dënuan nga partitë opozitare, që i shohin ato si të gabuara dhe të dëmshme.