“Pas takimeve Rama-Vuçiç maskohet ambicia për “botën serbe””, Basha: Shqipëria ka detyrë të mbështesë Kosovën

Përditësuar më: 16/9/2021, ora 19:36
WhatsApp Image 2021 09 16 at 19.04.51 669x579

“Pas takimeve Rama-Vuçiç maskohet ambicia për “botën serbe””, Basha: Shqipëria ka detyrë të mbështesë Kosovën

Përditësuar më: 16/9/2021, ora 19:36

“Bashkëpunimi rajonal nuk mundet kurrë të nisë nga Novi Sadi, por nga Mitrovica, shqetësimi ynë duhet të jenë shqiptarët e Luginës së Preshevës, siç janë për Vuçiçin ato të serbeve të Kosovës. Marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësia e mirë ngrihen mbi baza proporcionaliteti dhe jo vasaliteti. Në këto procese Shqipëria ka vetëm një detyrë, të mbështesë Kosovën, sepse për Shqipërinë nuk mund të jetë e mirë ajo që nuk është e mirë për Kosovën”.

Kështu u shpreh Lulzim Basha nga foltorja e Kuvendit këtë të enjte teksa komentoi nismën Ballkani i Hapur dhe marrëdhëniet e kryeministrit Rama me Vuçiç e Kurtin.

Basha u shpreh se pas çdo fotoje që Vuçiç bën me Ramën maskohet ambicia e tij për atë qe ai e quan “bota serbe”.

“Çfarë e motivon përbuzjen e Procesit të Berlinit të iniciuar nga Gjermania dhe që ka mbështetjen politike e financiare të BE-së, vendeve kryesore anëtare të Unionit e që mbledh së bashku të gjitha vendet e Ballkanit, dhe çfarë të detyron të investohesh kaq fort në një iniciative paralele të krijuar në Novisad e si autoritetin më të lartë ka Vuçiç?

Përgjigjja është e thjeshtë. Juve nuk ju intereson aspak procesi dhe rezultati i bashkëpunimit rajonal, por vetëm kapardisja si udhëheqës rajonalë para popujve që i keni lënë në baltë prej korrupsionit dhe lidhjeve tuaja me krimin e organizuar.

Proceset e suksesshme janë gjithmonë të gjata e të vështira, por autokratët e të korruptuarit kanë vetëm hallin e kohës së tyre politike, jo të njerëzve. 

E udhës për Shqipërinë do të ishte të fokusonte të gjitha energjitë te Procesi i Berlinit, te thithja e fondeve të vëna në dispozicion, por këtu qëndron problemi se nuk i vidhni dot dhe te mekanizmat për të sjellë më afër vendet e rajonit e për t’i dhënë Kosovës vendin që i takon, si shtet i barabartë mes shteteve te rajonit, në çdo marrëveshje e dokument.

Por, ti ke prioritet iniciativën e Novi Sadit, e cilat mbahet mend veç për sulmet që t’i i bën lidershipit të Kosovës sa herë mblidheni për resmen e rastit dhe për turpin tënd edhe kur në krah keni iniciatoren e Procesit te Berlinit, siç ndodhi 2 ditë më parë.

Pas çdo resme që Vuçiç bën me ju, maskohet ambicia e tij për atë qe ai e quan “bota serbe”, fshihet spastrimi etnik i luginës së Presheves përmes pasivizimit të adresave, privimi që iu bën shqiptarëve të tre komunave, Preshevës, Medvegjës e Bujanocit të së drejtës për t’u punësuar e zhvilluar ekonomikisht, fshihen ambiciet për të kontrolluar dhe tollovitur Malin e Zi, siç ndodhi pak kohë më parë kur kërcënoi luftë civile.  E reagimi yt ndaj kësaj sjellje janë sulmet nga liderëve të Kosovës që refuzojnë një gjë të tillë”, u shpreh Basha.