Rama: Pasojat e tërmetit dhe pandemia, frontet e mëdha të qeverisë

Përditësuar më: 16/9/2021, ora 17:45
rama1 1024x576

Rama: Pasojat e tërmetit dhe pandemia, frontet e mëdha të qeverisë

Përditësuar më: 16/9/2021, ora 17:45

Kryeministri Edi Rama deklaroi se “Shqipëria ka ende dy fronte të mëdha, të hapura”, në të cilat do të përqendrohet qeveria.

“Nga njëra anë, fronti i përpjekjes për zhbërjen përfundimtare të pasojave të tërmetit; nga ana tjetër, fronti i përpjekjes për daljen nga lufta me pandeminë. Plani ynë, siç jemi zotuar, nuk ndryshon asnjë presje, tani që zgjedhjet janë pas krahëve. Viti 2022 duhet të mbyllë tërësinë e të gjitha plagëve të tërmetit, por deri ditën e kapërcimit të pragut të shtëpisë së re, të gjitha familjet që janë në pritje do vijojnë të marrin nga shteti qiranë, përfshirë dhe ato qindra familje që kanë zgjedhur vetë të qëndrojnë në çadër, për shkak të largësisë nga qyteti”, tha Rama.

“Nuk ndryshon as plani i vaksinimit masiv në vijimësi për gjithë popullin. Askush nuk mund të qeverisë përsosmërisht, pavarësisht dëshirës së madhe. Një nga krenaritë më të mëdha të mandatit tonë të dytë do të mbetet fakti se në luftën me pandeminë, sot ne nuk kemi zili asnjë vend tjetër. Kemi qenë dhe mbetemi në fashën e vendeve me performancën më të mirë. Dje kemi marrë dhe dritën jeshile për lëvizjen e lirë me pasaportën e vaksinimit. Ky është një mesazh kuptimplotë për të gjithë qytetarët e pavaksinuar ende, që të vaksinohen pa humbur kohë, për të mbrojtur shëndetin, por edhe për të lëvizur lirisht jashtë vendit”, shtoi Rama.

Kreu i qeverisë nënvizoi se “duke pasur parasysh ndjeshmërinë e lartë të këtyre dy sfidave, i lutem sot opozitës dhe medias të kërkojnë nga qeveria çdo informacion të mundshëm zyrtar, para qëndrimeve”.

“Lajmet e rreme e bëjnë njësoj dëmin psikologjik. Zotohem se çdo qëndrim kritik, ngado që të vijë, do të trajtohet me seriozitet nga ne. Qeveria e re do të vendosë në dispozicion të publikut një kanal zyrtar për çdo denoncim apo pretendim të ngritur, që lidhet me interesin publik. Formati i mëparshëm me konferenca shtypi, akuza e kundërakuza që vetëm helmojnë publikun, për ne konsiderohet i mbyllur”, tha Rama.