U shkëput nga puna për 2 vjet dhe nuk është rikthyer më, ILD kërkon shkarkimin e gjyqtares së Apelit në Tiranë

Përditësuar më: 16/9/2021, ora 17:56
8 SHKURT 2020 ARTUR METANI frame 15798 1024x576

U shkëput nga puna për 2 vjet dhe nuk është rikthyer më, ILD kërkon shkarkimin e gjyqtares së Apelit në Tiranë

Përditësuar më: 16/9/2021, ora 17:56

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ka nisur hetimin disiplinor ndaj magjistrates Evjeni Sinoimeri me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Apelit Tiranë për mosparaqitje në detyrë. ILD kërkon shkarkimin e saj nga detyra.

Në arsyetimin e kërkesës së ILD sqarohet se, nga hetimi disiplinor rezulton se Këshilli i Lartë i Drejtësisë i ka akorduar magjistrates, më 09.02.2018, leje për shkëputje nga puna për një periudhë 2-vjeçare, për arsye shëndetësore, por gjyqtarja nuk është paraqitur në detyrë në përfundim të lejes.

Ndërkohë, në 28 shtator të vitit të kaluar, KLGJ ka refuzuar kërkesën e saj për dhënie leje shtesë të papaguar. Pas ankesës së magjistrates në Gjykatën Administrative të Apelit, kjo e fundit vendos kthimin e çështjes për rishqyrtim në Këshill.

Më 29 mars, KLGJ rimori në shqyrtim kërkesën e magjistrates dhe ka vendosur sërish refuzimin e saj. Sipas njoftimit, magjistratja ka marrë dijeni për këtë refuzim të ri të KLGJ më 31.03.2021 dhe vazhdon të mos paraqitet në mënyrë të pajustifikuar në detyrë.

“Gjatë hetimit disiplinor provohet se nga ana e magjistrates nuk është arritur të justifikohet mungesa e saj në punë për shkaqet objektive të pretenduara prej saj. As Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe as Zv. Kryetari i Gjykatës së Apelit nuk kanë dhënë asnjë vendim pozitiv mbi kërkesën e magjistrates për pamundësinë e pretenduar prej saj për të justifikuar mosparaqitjen e saj në detyrë pas datës 01.04.2020, duke sjellë një mosparaqitje në detyrë pa shkaqe të justifikuara prej më tepër se 1 vit”, theksohet në njoftim.