Dëmtohet kolona e shkollës në Kukës, ZVA në kërkim të një godine për 470 nxënës

Përditësuar më: 17/9/2021, ora 13:47

Dëmtohet kolona e shkollës në Kukës, ZVA në kërkim të një godine për 470 nxënës

Përditësuar më: 17/9/2021, ora 13:47

Vetëm pak ditë para nisjes së procesit mësimor për arsimin parauniversitar, 470 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Riza Spahiu” të qytetit të Kukësit, nuk do të jenë në objektin e tyre në nisje të këtij viti shkollor. Drejtoresha e shkollës, shprehet se urdhri për pezullimin e mësimit i ka mbërritur një ditë me parë nga Instituti i Ndërtimit në Tiranë, për shkak të një çarjeje që ishte konstatuar në një prej kolonave të shkollës.

“Përkohësisht është pezulluar mësimi deri në rikonstruksion të shkollës. Kemi bërë shkresë që pjesa e mësimit plotësues të kalojë online. Nëse nuk do të jenë të rregulluara deri në datën 27, ditën që nis zyrtarisht mësimi, atëherë do të gjendet ose një objekt me qira ose të kalohet në një shkollë tjetër që do të ketë mësim fizik”, u shpreh drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Riza Spahiu”, Matilda Hoxha.

Drejtori i Urbanizmit në Bashkinë e Kukësit, shprehet se koha e mbetur deri në fillimin e viti shkollor nuk premton për forcimin e kolonës.

“Nëse shkolla nuk përmbush kushtet e sigurisë së zhvillimit mësimor nuk do të jetë gati. Nuk premton edhe koha se procedura ndërtimore ka një afat të caktuar për rehabilitimin e kolonave”, tha drejtori i Urbanizmit të Bashkisë Kukës, Andrit Shehu.

Shkolla 9-vjeçare “Riza Spahiu” është ndërtuar pas viteve të 90, ndërkohë që edhe pse është rekomanduar pezullimi i aktivitetit, në godinën e shkollës vijonin të hynin dhe dilnin nxënës që pajiseshin me libra.