Java e dytë e Superiores, duel titulli, Vllaznia për hakmarrje ndaj Teutës

Përditësuar më: 17/9/2021, ora 18:20
PRAG VLLAZNIA TEUTA SKENDERBEU PARTIZANI frame 834 1024x576

Java e dytë e Superiores, duel titulli, Vllaznia për hakmarrje ndaj Teutës

Përditësuar më: 17/9/2021, ora 18:20

Java e dytë e Kategorisë Superiore vjen me një tjetër duel titulli. Teuta kampione në fuqi, udhëton në transfertën në Shkodër. Ndeshje që vijon sfidën e edicionit të kaluar përballë Vllaznisë, që e mbylli kampionatin si nënkampione me pikë të barabarta. Në “Loro Boriçi” kërkojnë hakmarrje për finalen e Superkupës të humbur 3-0 në fund të gushtit.

“Po e presim me padurim këtë ndeshje. Jemi të angazhuar për të dhënë më të mirën dhe të përmirësohemi. Synojmë të marrim tre pikët. Duhet të shfrytëzojmë të gjitha rastet që na krijohen, me lojtarët që duhet të japin edhe më tepër se maksimumin në këtë ndeshje. Do të përpiqemi të mësojmë sa më tepër nga e kaluara. Eksperienca e finales së humbur në Superkupë është nga ato që të dhemb. Na duhet edhe mbështetja e tifozëve, të cilët duhet të jenë gati”, tha trajneri Tomas Brdariç.

Partizani udhëton drejt Korçës, për ndeshjen me Skënderbeun, me të dyja skuadrat që kërkojnë fitoren e parë në këtë sezon.

“Në këto javë, rezultatet janë pjesë e rëndësishme, por nuk tregojnë gjithçka. Brenda një jave nuk mund të ndryshosh gjithçka. Kemi një ndeshje delikate në Korçë, shkojmë duke respektuar maksimalisht kundërshtarin. Detyra jonë e vetme është marrja e 3-pikëshit, pavarësisht se e dimë se duhet të punojmë fortë për të arritur këtë gjë. Është ndeshje delikate, duhet patjetër të shkojmë drejt 3-pikëshit sepse besoj që i kemi kualitetet e duhura për të bërë këtë gjë”, u shpreh Ilir Daja.

Ndërsa Migen Memelli deklaroi: “Jemi vetëm në xhiron e parë të sezonit dhe normalisht që nuk është koha të vuajmë psikologjikisht pas një humbje. E kemi lënë pas dhe po mendojmë për ndeshjen e radhës. Ndaj Partizanit duhet të jemi të qetë e të qartë në fushë. E dimë vështirësinë e ndeshjes, pasi të tilla do të jenë të gjitha takimet. Unë kam besim te ky ekip dhe jam i bindur se të shtunën në fushë do të shoh 11 luftëtarë që nuk do të dorëzohen në asnjë moment, por do të kërkojnë të marrin maksimumin nga kjo ndeshje.