Qeveria merr 77 vota: Rama shtrin dorën, Basha kërkon zgjidhje politike

Përditësuar më: 17/9/2021, ora 13:57

Qeveria merr 77 vota: Rama shtrin dorën, Basha kërkon zgjidhje politike

Përditësuar më: 17/9/2021, ora 13:57

Qeveria e Edi Ramës mori besimin e 77 deputetëve në sallën e Kuvendit. Në një seancë maratonë, Kuvendi i dha dritën jeshile kabinetit “Rama 3” ku ranë në sy ftesat dhe kundërftesat për bashkëpunim PD-PS.

“Projektvendimi miratohet, Kuvendi i jep votëbesimin qeverisë Rama tre”, lexoi Lindita Nikolla.

Pas 12 orësh debat pa ndërprerje, parlamenti miratoi programin politik të qeverisë. Në sallën e Kuvendit u rikthye debati politik me përballjen Rama-Basha.

“Demokracia shqiptare nuk është në krizë. Ajo ka vdekur. Nuk vdiq për shkaqe natyrore, paçka se sëmundja e saj ishte e rëndë. Demokracia shqiptare është vrarë. Ekzekutori i fundit dhe i vetëm është ai që foli para meje”, u shpreh Basha.

Edi Rama zgjodhi mos t’i përgjigjej dhëmbë më dhëmbë Lulzim Bashës, duke mëshiruar rivalin, që paralelisht duhej të përballej në distancë edhe me liderin historik së partisë së vet. “Vetëm përsëritje që mund të jetë edhe shkak i stresit, por kjo nuk është koha që të përgjigjem deri në fund se ke boll kumrie”, u përgjigj Rama. 

Kryedemokrati nuk kishte vetëm akuza ndaj Edi Ramës, por edhe një ftesë konkrete për bashkëpunim, pas dorës së shtrirë më herët nga kryeministri. “Dora jonë është e shtrirë drejt partisë demokratike. I kemi dëgjuar në distancë disa synime tuaja, jemi të hapur të dialogojmë”, tha Rama.

“Që Shqipëria të dalë nga ky udhëkryq, kërkohet një zgjidhje politike. Natyrisht ajo nuk mund të vijë vetëm nga ne, për t’i dhënë jetë një reforme zgjedhore, një reformë territoriale që të jetë në shërbim të qytetarëve, jo të partisë, për ndryshime kushtetuese që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve”, u shpreh Basha. 

Flirtet e një bashkëpunimi nuk ishin vetëm nga kryedemokrati. Monika Kryemadhi foli për nostalgji të së shkuarës në parlament, duke uruar 12 ministret e Edi Ramës, pa kursyer thumbat brenda krahut opozitar.

“Teatri u shemb, por teatri nuk na mungoi për dy orë këtu. Do të dëshiroja të shikoja se ç’ndodh me opozitën dhe në fakt ndoshta mua më shumë se kushdo tjetër nuk më takon që ta ngre këtë pyetje, por përkundrazi më takon që të marr disa përgjegjësi të tjera. Përgjegjësi në radhë të parë për t’i uruar grave të qeverisë”.

Pas votave në parlament dhe një nate pa gjumë, Edi Rama së bashku me kabinetin e tij bëhen gati për t’u betuar para Presidentit të Republikës nga ku më pas nis zyrtarisht edhe rrugëtimi i tyre katërvjeçar në qeverisjen e vendit.