Ujdi me Australinë për nëndetëse me energji bërthamore, Biden zemëron Francën dhe BE

Përditësuar më: 17/9/2021, ora 11:05

Ujdi me Australinë për nëndetëse me energji bërthamore, Biden zemëron Francën dhe BE

Përditësuar më: 17/9/2021, ora 11:05

Stuhi kritikash ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për ujdinë e re të sigurisë së nënshkruar me Australinë.

Mbi bazë të marrëveshjes, e cila konsiderohet si një përpjekje për t’iu kundërvënë ndikimit të Kinës në territorin e kontestuar të Detit Jugor, SHBA dhe Britania e Madhe do t’i sigurojnë Australisë teknologji për ndërtimin e nëndetëseve me energji bërthamore. Por nisma, e cila përjashton Bashkimin Europian dhe Francën, ka zemëruar këto të fundit, me Parisin qe foli për thikë pas shpine.

Si rezultat i nismës së pagëzuar si Aukus, Franca do të humbasë një marrëveshje me vlerë prej gati 100 miliardë dollarësh për ndërtimin e nëndetëseve për Australinë.

“Kjo nuk bëhet mes aleatëve. Është një thikë pas shpine, një vendim i njëanshëm, brutal dhe i paparashikueshëm, shumë i ngjashëm me gjërat që bënte Trump”, u shpreh Jean-Yves LeDrian.

Ambasada e Parisit në Uashington anuloi një pritje që do të përkujtonte lidhjet e forta mes SHBA-së dhe Francës. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josef Borrel, tha se ujdia tregon se Bashkimi Europian duhet të ndërtojë strategjitë e veta të mbrojtjes dhe sigurisë, veçanërisht në rajonin e indo-paqësorit.

“Mendoj se një marrëveshje e tillë nuk u përgatit sot për nesër. Duhet kohë dhe pavarësisht kësaj, ne nuk u konsultuam. Kjo është një mundësi e mirë për t’i kujtuar vetes se duhet ta bëjmë prioritet çështjen e autonomisë strategjike”, tha Josep Borrell, shef i politikës së jashtme të BE-së.

Me zemërim reagoi dhe Kina, që akuzoi tri fuqitë për mentalitet të Luftës së Ftohtë. Media shtetërore, Global Times, paralajmëroi për një garë armësh për nëndetëset bërthamore, duke shtuar se ushtarët australianë do të ishin të parët që do të vdisnin në një kundërsulm të Kinës. Aleanca Aukus u njoftua nga presidenti amerikan, Joe Biden, kryeministri britanik, Boris Johnson, dhe homologu i tij australian, Scot Morrison, ditën e mërkurë. Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, tha e cilësoi Francën një partner jetësor dhe tha se Uashingtoni do të bashkëpunojë ngushtë me Parisin. Sakaq, Johnson pohoi në një deklaratë se ujdia nuk synonte t’i kundërvihej Kinës.