Bamir Topi: Berisha, një “zombi” që lëviz në terrenin politik shqiptar, u ekzekutua nga aleati kryesor

Përditësuar më: 20/9/2021, ora 10:39

Bamir Topi: Berisha, një “zombi” që lëviz në terrenin politik shqiptar, u ekzekutua nga aleati kryesor

Përditësuar më: 20/9/2021, ora 10:39

Zhvillimet në Partinë Demokratike kanë kapluar interesin e publikut ditët e fundit, me vendimin e Bashës për të përjashtuar liderin historik të demokratëve, Sali Berishën, nga grupi parlamentar i PD-së.

Cila do të jetë e ardhmja e Partisë Demokratike, opozitës shqiptare dhe të djathtës në përgjithësi? Për të folur për këto çështje, ishte i ftuar mëngjesin e sotëm në “Dita jonë”, në A2 CNN, ish-presidenti, prof. dr. Bamir Topi.

“Ngjarjet në PD nuk janë të papritura”

“Unë i shoh me një sy realist dhe për më tepër kur ti e pret këtë situata e kam parë me shumë gjakftohtësi. Shoh një precipitim të asaj që ka nisur prej vitesh. Ky është involucion. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për anën sasiore, por kur ikën pjesë më cilësore, unë mendoj se duhet parë drama se si po precipiton kjo e djathtë. Këtu nuk kam parasysh vetëm bindjet ideologjike, por kam parasysh që një vend demokratik, duhet të ketë një ekuilibër mes mazhorancës dhe opozitës, kur krijohen distanca të mëdha vritet shpresa”.

Vendimi i Bashës për përjashtimin e Berishës

“Unë kam menduar se Basha dhe Berisha do të gjenin një kompromis prej kohësh, për një dalje të butë, por psikoza ishte ndryshe, sikur Basha pengohej nga Berisha në punën e tij. Këtë e kam përdorur edhe unë. Basha është produkt i Berishës, nga vitit 2005, në rrethana shumë të mistershme katapultohet. Në vitin 2013, gara është vrarë. Këtu influenti ka qenë Berisha”.

“Basha ka luajtur me alibinë që nuk është i lirë””

Kam ndjerë një keqardhje të madhe kur në zgjedhjet e 25 prillit pamë Berishën që jo vetëm ishte në listë, por ndodhi ashtu siç ai thoshte, do ta takojë për ta caktuar vendin kudo të jem. Është krijuar ideja se ky vendos. Basha ka pasur momente që në mënyrë elegante mund t’i kishte thënë stop. Nëse nuk e ke këtë fuqi, atëherë ik. O je, o nuk je. Ai ka luajtur me alibinë që nuk është i lirë. Problemi është se të gjithë atje kanë qenë viktimë të kësaj bindje të kthyer në psikozë.

“Ndjesa e Berishës nuk vlen, ka mungesë sinqeriteti

Ndjesa e Berishës nuk vlen. Kjo ndjesë asnjëherë nuk është e sinqertë. Njeriu mund ta përdorë ndjesën edhe kur është në hall të madh. Berisha e ka njohur Bashën nga viti 2005. Naiviteti nuk shkon ose abuzivizmi me misionin publik. Situata vazhdon të ketë mungesë sinqeriteti, nga i pari tek i fundit”.

“Do ecim përpara kur të shikojmë mbrapa”

“E kam fjalën për disa lëvizje politike që janë bërë në të kaluarën dhe lidhen me lëvizjet kushtetuese të vitit 2008, kur ka nisur edhe përplasja ime me PD-në. Aty do të shikoni se si ka degjeneruar historia e ekuilibrave institucionale në Shqipëri. Partitë politike janë bërë pronë e kryetarëve. Mendimi nuk debatohet, por gjithçka emërohet. Kur një parti varfërohet, krahu tjetër forcohet shumë dhe diferenca rritet”.

“Nëse do të ishit pjesë e PD-së, a do të kishim arritur në këtë pikë?

“Ti mundohesh, por a gjen terren? Po ndodh një situatë shumë interesante. Berisha, pas kaq vitesh me këtë metodologji, është i pafuqishëm për të bërë luftën brenda institucionit që e themeloi vetë. Me atë lloj strukturash, me atë lloj kryetari autoritar, nëse është vendosur për t’u larguar do të largoheshe, ose do të kishte nënshtrim, pasi në një moment do të thyheshe. Rasti im është ndryshe. Unë jam larguar në vitin 2007 kur jam bërë president. Më pas, ishte një vazhdim i një pasioni që unë kisha për politikën”.

“Me këtë kryetar, PD nuk ka pikë shprese”

“Unë nuk kam pasur rast të bëjë analizë mbi deputetët, por unë shoh fytyrën e kryetarit, shoh përfaqësuesin e tyre. Duke njohur kryetarin, nuk ka pikë shprese. Kjo është një gjë e provuar. Ka shumë hipokrizi brenda, pandershmëri, ka shumë egoizëm. Ky vend është në këmbët e këtij që është sot në pushtet, jo në këmbët e opozitës. Shqipëria është totalisht në këmbët e mazhorancës dhe kjo është dramatike. Unë nuk bëj me faj Edi Ramën, në sytë e mi është i falur. Pas 8 vitesh ti shkon në mandatin e tretë dhe thua do fitojmë mandatin e katërt, problemi nuk është tek ty, por te opozita”.

Kush do të mbijetojë Basha apo Berisha?

“Nuk jam cinik, por është në terma politik. Sot, beteja e Berishës është betejë postmortum, është një “zombi” që lëviz në terrenin politik shqiptar, pasi është ekzekutuar politikisht nga aleati i tij kryesor. Sa vjen dhe drama e tij zgjerohet. Në këtë periudhë të vetmisë politike, ai kërkon të ndjehet me njerëz edhe pse e di shumë mirë që përballë ka një mur të madh, i cili nuk është Basha. Basha, nga partnerët, nuk ka besueshmëri. Këtu do të kemi një përballje shumë të çuditshme”.