Basha: Nuk mbledh Kuvendin, nuk lejoj grupe antiamerikane në PD

Përditësuar më: 20/9/2021, ora 20:43

Basha: Nuk mbledh Kuvendin, nuk lejoj grupe antiamerikane në PD

Përditësuar më: 20/9/2021, ora 20:43

Diskutimi për çështjen Berisha nuk ka munguar edhe në mbledhjen e Kryesisë së Grupit Parlamentar të demokratëve, ndonëse fokusi duhej të ishte aksioni opozitar që PD-ja do të ketë në Parlament. Debatin e ndezi deputeti Flamur Noka, i cili i ka kërkuar kryedemokratit Lulzim Basha t’i japë drejtim kësaj çështjeje duke e cilësuar si imediate për Partinë Demokratike.

“Vendimi ndaj Berishës ishte një thikë pas shpine për demokratët. Ai i duhej lënë forumeve të PD-së ta merrnin. Vetëm vendimi i anëtarësisë mban PD-në të bashkuar. Ke shkelur statutin, vendimin duhet ta marrë Kuvendi Kombëtar. Pa i dhënë drejtim çështjes së Berishës, nuk mund të diskutohet asgjë për aksionin opozitar”, tha Noka.

Por, Lulzim Basha përsëriti se nuk ka kthim pas, duke e bërë të qartë se nuk do të lejojë grupime antiamerikane brenda PD-së: “Kërkesa për doktorin ka ardhur nga kupola e shtetit amerikan. Informacionet i di unë, siç i di shumë mirë edhe doktori, dhe që ju nuk keni për t’i marrë vesh kurrë. Vendimi nuk ka më kthim pas. Nuk mblidhet asnjë Kryesi apo Kuvend sepse nuk mund të ketë kuvend antiamerikan. Në PD, nuk do të lejoj dhe nuk do të ketë grupime kundëramerikane. Ky është vendimi në interes të demokratëve. Vendimi për Sali Berishën nuk ka më kthim pas”.

Pas më shumë se dy orë diskutime e debate, i vetmi që u përgjigj ishte nënkryetari Enkelejd Alibeaj: “U diskutua aksioni politik kundër regjimit të Edi Ramës. Kundër tij do të luftojmë të gjithë”.

Kryesia e Grupit Parlamentar u njoh edhe me vendimin për të emëruar Agron Gjekmarkajn si drejtues politik të Qarkut Lezhë, i cili do të zëvëndësojë ish-deputetin e dorëhequr, Mark Marku.