Nga ERTV tek Agjencia për Median, si kontrollohet informacioni nga propaganda qeveritare

Përditësuar më: 20/9/2021, ora 16:39

Nga ERTV tek Agjencia për Median, si kontrollohet informacioni nga propaganda qeveritare

Përditësuar më: 20/9/2021, ora 16:39

Edi Rama e nisi punën si kryeministër për herë të tretë duke synuar një kontroll më të rreptë mediatik. Në mbledhjen e parë, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për Agjencisë për Median dhe Informimin, e cila do të përpunojë gjithë aktiviteti qeveritar, e me pas do e shpërndajë për median. Në retrospektivën e qeverisjes së kryeministrit Rama, kjo agjenci është vetëm kulmimi i punës për të centralizuar informacionin e dalë nga qeveria.

“Në fakt është një mjet komunikimi që e ka sjellë koha dhe është pa ndërmjetës. Pra pa ndërmjetësinë tuaj që në përgjithësi, më vjen keq ta them, si katund në Tiranë, ndërmjetësoni të tretët. Nuk e kam për ju, por e kam në përgjithësi”. Kështu e argumentonte krijimin e televizionit ERTV, kryeministri Rama, pak ditë pas krijimit të saj në mars të vitit 2017.

Por ndryshe nga çfarë u deklarua, Qeveria nisi ta shfrytëzojë këtë kanal online për të bërë edhe intervista me ministrat. Përballë nuk kishin një gazetar, por dikë nga zyra e shtypit që bënte pyetje të parapërgatitura.

Centralizimi i informacionit sa vinte e intensifikohej, e hapi i radhës ishte krijimi i edicioneve informative. Përsëri asnjë kriter gazetarie, por propagandë kishte me bollëk.

Përqendrimi i informacionit në duart e qeverisë u bë dhe më evident gjatë periudhës së pandemisë. Kuriozitetit të qytetarëve për situatën në spitalin infektiv, iu përgjigjej vetëm ERTV me video dhe dëmshmi ekskluzive, me pacientë të përzgjedhur nga Qeveria që falënderonin për shërbimin.

Ndërkohë, në botën reale, që nuk gjente pasqyrim në informacionin e përcjellë prej Qeverisë, situata ishte krejt ndryshe, me ambulancat që duhej të prisnin me orë derisa të gjendej një vend për pacientin në pritje.

Ekskluzivitet i ERTV-së ishte dhe fushata e zgjedhjeve të 25 prillit, ku takimet e kreut të qeverisë me qytetarët kalonin vetëm nga objektivi i kameramanëve të tij. Kush merrte fjalën zgjidhej nga Qeveria, çfarë u dërgohej mediave gjithashtu duhej të kalonte kontrollin në montazh, për t’u siguruar se ishin përcjellë mesazhet e duhura. Objektivi ishte fshehja e pakënaqësive të qytetarëve, që në botën e smartphone-ve jo gjithmonë funksionon.

Fitorja e mandatit të 3-të qeverisës, intensifikoi dhe më shumë kontrollin e informacionit nga kryeministri, i cili që në mbledhjen e parë të Këshillit të Ministrave, kërkoi krijimin e agjencisë për median dhe informimin nga ku i gjithë aktiviteti qeveritar duhet të përpunohet nga ky institucion i ri.

Çka do të thotë se praktikisht, veprimtaria publike e të gjitha institucioneve shtetërore tashmë do të përqendrohet në duart e kryeministrit.

Ndryshe nga më parë, ku zëdhënësit të paktën formalisht emëroheshin nga eprori i institucionit, tashmë ata do të jenë në varësi të drejtorit të Agjencisë, i cili do të ketë kompetencë të drejtpërdrejtë të shkarkojë zëdhënësin.