
PSG nuk e ndal askush, Messi shfaq pakënaqësitë e para
Paris Saint Germain siguroi fitoren e gjashtë në po kaq takime dhe së fundi mposhti edhe një prej rivalëve kryesorë të Ligue 1, Lyon.
Megjithatë, më shumë sesa suksesi i vështirë që u arrit në sekondat e fundit, vëmendjen e këtij takimi e mori një episod mes Leo Messit dhe Maurico Pochettino.
Në minutën e 75-të, trajneri argjentinas vendosi ta zëvendësojë Messin me Hakimin, lëvizje që gjashtë herë fituesit të “Topit të Artë” nuk i pëlqeu aspak, aq sa në daljen nga fusha nuk i dha as dorën teknikut të Paris Saint Germain.
Irritimi ishte i qartë në fytyrën e ish-futbollistit të Barcelonës që nuk ka arritur ende të zhbllokohet me skuadrën e tij të re. Megjithatë, ndryshimet e Pochettinos dhanë efekt, me Mauro Ikardin që shënoi në shtesë golin e fitores përballë Lyon.