Eurobondi në 2022, ekspertët i druhen rritjes së nivelit të borxhit

Përditësuar më: 21/9/2021, ora 16:29

Eurobondi në 2022, ekspertët i druhen rritjes së nivelit të borxhit

Përditësuar më: 21/9/2021, ora 16:29

Eurobondi prej 500 milionë eurosh i paralajmëruar nga qeveria do të zhvillohet në fillim të vitit të ardhshëm. Ministria e Financave ka zyrtarizuar edhe bankat JP Morgan, Societe Generale, Banca IMI dhe OTP si menaxhues të emetimit të këtij titulli në tregun ndërkombëtar, ku do të kërkojë interesat më të ulëta për një afat maturimi nga 7-10 vjet.

Megjithatë, në kushtet kur niveli i borxhit është rritur ndjeshëm që pas nisjes së pandemisë, për ekspertin Enriko Ceko, ky eurobond do të komplikonte më tej financat publike.

Borxhi i ri prej 500 milionë eurosh, sipas Cekos, nuk justifikohet vetëm me deklaratën e ministrisë së Financave se do të përdoret për të injektuar para në ekonomi për të gjeneruar rritje, për sa kohë nuk flitet se çfarë investimesh publike do të financojë.

Sakaq, në programin për mandatin e tretë, qeveria zotohet të ulë borxhin publik nën 60%. Kjo sipas Cekos, bie ndesh me Eurobondin, që nuk mund të gjenerojë mjaftueshëm rritje ekonomike në një kohë kaq të shkurtër.