Reciprociteti për targat: Vijon bllokada në rrugë. Kurti takon ambasadorët e QUINT

Përditësuar më: 21/9/2021, ora 15:54

Reciprociteti për targat: Vijon bllokada në rrugë. Kurti takon ambasadorët e QUINT

Përditësuar më: 21/9/2021, ora 15:54

Qytetarët serbë vijojnë të bllokojnë rrugët pranë pikave kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut, në shenjë proteste kundër masës së reciprocitetit për targat. Forcat e policisë qëndruan në gatishmëri përgjatë gjithë natës, ndërsa më herët gjatë së hënës u hodh gaz lotsjellës për të zhbllokuar rrugët në afërsi të pikave kufitare të Jarinjës dhe Bërnjakut. 

Në një takim të zhvilluar të martën me ambasadorët e vendeve të Quintit dhe shefin e zyrës së BE në Kosovë, kryeministri Albin Kurti theksoi se vendimi për targat nuk është provokues, dhe se sjellja e policisë ka qenë korrekte.

“Ligji është zbatuar dhe është siguruar trajtimi i barabartë. Prania  forcave të policisë aktualisht, është për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me automjete rrugët që çojnë në pikat kufitare 1 dhe 31. Policia ka biseduar me protestuesit dhe nuk i ka cenuar ata. Liria e lëvizjes është e drejtë dhe vlerë që nuk bën të shkelet”, theksoi kryeministri kosovar.

Kurti shtoi më tej, se Kosova dhe Serbia ose kanë të dyja të drejtë ose të dyja gabim. “Pra ose do t’i mbajmë ato lloj targash, ose do t’i heqim ato të dyja vendet”, ishte deklarata e Kurtit.

Po ashtu, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, theksoi se qytetarët serbë nuk kanë pse të ndjehen të frikësuar dhe se masat e ndërmarra nuk janë kundër tyre. Ambasadorët dhe kryeministri Kurti u pajtuan që duhet ruajtur paqja, stabiliteti dhe siguria, dhe se dialogu duhet të vazhdojë. Sipas vendimit, që hyri në fuqi të hënën, automjetet që hyjnë nga Serbia duhet të pajisen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës përkundrejt 5 eurove.