Turqia dhe Egjipti, destinacionet më të kërkuara nga shqiptarët

Pandemia dhe shtimi i fluturimeve direkte drejt destinacioneve të reja, duket se nuk e ka ndryshuar ndjeshëm gjeografinë e fluturimeve në verën e këtij viti. Pavarësisht kufizimeve nga koronavirusi, edhe këtë sezon, përzgjedhja e parë e shqiptarëve për pushime jashtë vendit, mbetet Turqia.

Në listën e destinacioneve të preferuara vijon të jetë edhe Egjipti, me plazhet e Sharm El Sheikh dhe Hurghadës. 

Si një vend qe nuk kishte as vaksinimin dhe as tamponin kriter, një tjetër destinacion që ka tërhequr vëmendje dhe ka pasur trend pozitiv ishte Spanja, që është zgjedhur nga shqiptarët kryesisht për pushime të shkurtra.  

Sa i takon rajonit, bregdeti i Malit të Zi, vijon të mbetet i preferuar, ndërsa sa i takon Greqisë, tur-operatori Agim Mehmeti thotë se vendimi për t’u hapur vonë e penalizoi dhe se nuk ka marrë një pjesë të madhe të tregut. E njëjta gjë vlen dhe për Italinë. 

Ndërkaq, të ndikuar nga fotografitë perfekte të influencersave, por dhe nga linja direkte me Dubain, jo të paktë në numër ishin dhe shqiptarët që u joshën nga destinacione më ekskluzive si Mauritius, Maldives apo dhe Zanzibari, që ishte dhe hyrja më surprizuese e vitit.