Vrasja e taksistit në Fushë-Prezë, në gjyq dy vëllezërit, krimi pas dyshimeve për lidhjen intime të nënës

Përditësuar më: 21/9/2021, ora 16:56

Vrasja e taksistit në Fushë-Prezë, në gjyq dy vëllezërit, krimi pas dyshimeve për lidhjen intime të nënës

Përditësuar më: 21/9/2021, ora 16:56

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimin ndaj dy vëllezërve të akuzuar për vrasjen e një taksisti 71 vjeçar, pas dyshimeve të një raporti intim mes tij dhe nënës së tyre.

Vëllezërit Sajmir dhe Arsil Shera, 33 dhe 21 vjeç, do të përballen në gjyq me akuzën e “vrasjes me paramendim”, në bashkëpunim në dëm të Abdulla Budllës dhe për  “armëmbajtje pa leje”.

Dosja ndaj tyre është depozituar në gjykatë, ku pritet të hidhet në short dhe të kalojë në filtrin e gjyqtarit paraprak. 

Krimi për të cilin akuzohen dy vëllezërit Shera u shënua në gusht të vitit 2020 në zonën e Fushë-Prezës, në aksin Vorë-Fushë-Krujë. 71-vjeçari u qëllua me breshëri automatiku, teksa po pushonte në mjetin e tij në anë të rrugës.

Dyshimet e para që lidhën krimin me familjen Shera ishte gjetja e komunikimeve të gjata telefonike mes taksistit dhe nënës së vëllezërve. Pas arrestimit doli në dritë edhe motivi i krimit, dyshimet e tyre për lidhjen jashtëmartesore të nënës me Abdulla Budllën.

Sipas prokurorisë, gjatë hetimit Sajmir Shera ka pranuar vrasjen por ka përjashtuar vëllain nga krimi, duke pretenduar se ai nuk e dinte që kishte armë me vete dhe se do të qëllonte taksistin.

Nga hetimi rezulton se 33-vjeçari ka ndërmarrë krimin, pas dyshimeve se taksisti po i ngacmonte edhe motrën. Ditën e vrasjes vëllezërit përdorën një automjet të marrë me qira, ndërsa pas krimit armën e hodhën tek një kamion i ngarkuar me skrap.