“A2 Business”, Shano: Kryeministri do të mbajë premtimet që i interesojnë

Përditësuar më: 23/9/2021, ora 14:28

“A2 Business”, Shano: Kryeministri do të mbajë premtimet që i interesojnë

Përditësuar më: 23/9/2021, ora 14:28

Ekonomisti Dritan Shano, i ftuar në emisionin “A2 Business” në A2 CNN, deklaroi se kryeministri Edi Rama do të mbajë vetëm ato premtime që i interesojnë, si për shembull rritjen e pagave në administratë.

Premtimet që janë artikuluar nga zoti Rama, në shumicën e rasteve nuk janë realizuar. Ndaj, nuk mendoj se premtimet e mandatit të tretë të jenë të realizueshme. Ato që mendoj se janë të realizueshme janë ato që i interesojnë zotit Rama dhe një prej tyre është rritja e pagave në administratë. Kjo do të bëhet. Por, burimi i financimit mbetet i paqartë”, u shpreh Shano.

Më tej, ekonomisti theksoi se “nuk ka faturë financiare që të shoqërojë vullnetin e mirë të shprehur në program”.

“Programi parashikon rritje ekonomike 4,5%, që unë e gjykoj krejtësisht të realizueshme, pasi në llogaritjen e kësaj nuk arrihet të kapet impakti i drejtpërdrejtë i parasë ilegale që po trupëzohet në ndërtim dhe që përkthehet në kontributin e këtij sektori në GDP-në e vendit. Ekonomia informale që ka gjetur rrugën për t’u legjitimuar në ekonominë shqiptare përmes sektorit të ndërtimit do të luajë rol shumë të madh në rritjen vjetore të GDP-së. Nuk ka faturë financiare që të shoqërojë vullnetin e mirë të shprehur në program”, shtoi Shano.

Në lidhje me taksën progresive, Shano u shpreh: “Nuk kam qenë asnjëherë pro taksës progresive, pasi i jep mesazhin rinisë që mos të aplikohen dhe mos të studiojnë për t’u bërë ekspertë të mirë, pasi do të tatohen me 23% pastaj. Sistemi ynë i taksave, i ndërtuar në këtë formë, është bërë shumë i ndërlikuar dhe kjo çon në një ekonomi informale. Efekti i taksës është politik, jo në buxhet”.