Nga rindërtimi te mbetjet dhe decentralizimi, ministrat njoftojnë vendimet e qeverisë, Ahmetaj: Shpronësim me këmbim në lagjen 5 maji

Përditësuar më: 22/9/2021, ora 17:22
22 SHTATOR DEKLARATE QEVERIA frame 6399 1024x576

Nga rindërtimi te mbetjet dhe decentralizimi, ministrat njoftojnë vendimet e qeverisë, Ahmetaj: Shpronësim me këmbim në lagjen 5 maji

Përditësuar më: 22/9/2021, ora 17:22

Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj njoftoi vendimet e marra sot nga Këshilli i Ministrave pas mbledhjes së qeverisë, e dyta e këtij mandati qeverisës, por këtë herë pa praninë e kryeministrit. Në deklaratën e tij për mediat, Ahmetaj e vuri theksin te Rindërtimi dhe tha se sot i kanë kaluar me VKM Fondit Shqiptar të Zhvillimit 3 miliardë lekë për të vazhduar puna më shpejtësi në terren. Gjithashtu qeveria ka miratuar një tjetër vendim të rëndësishëm në kuadër të rindërtimit në lagjen 5 maji, duke i hapur rrugë vijimit të punimeve me shpejtësi nëpërmjet shpronësimit me këmbim.

“Vendime për programin e rindërtimit, rindërtimi vazhdon me intensitet të plotë. Sot kaluam me VKM Fondit Shqiptar të Zhvillimit 3 mld lekë për të vazhduar punët në terren me shpejtësi që të plotësojmë angazhimin që kemi marrë përballë qytetarëve. Një vendim tjetër në kuadër të rindërtimit që është lagjja 5 maji, i hapet rruga punimeve me shpejtësi nëpërmjet shpronësimit me këmbim që do të bëjë të mundur vazhdimin e punës me 3 turne dhe shpronësimin e qytetarëve sipas ligjit”.  

Ahmetaj njoftoi gjithashtu një tjetër lajm të rëndësishëm që ka të bëjë me paktin e universitetit, duke kaluar 3 marrëveshje përmes KFV me 20 mln euro hua dhe 3.5 mln euro grante për rikonstruksionin e godinave të universiteteve.

“Dua të ndaj me qytetarët, studentët e prindërit që kaluam 3 marrëveshje përmes KFV brenda paktit të universitetit, 20 mln hua dhe 3.5 mln euro grante që do të shkojnë për rikonstruksionin e godinave të universiteteve publike. Kemi filluar punë para ca vitesh për paktin e universitetit që vazhdojmë të plotësojmë disa angazhime”.

Ministrja  e Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro njoftoi vendim e marrë sot nga Këshilli i ministrave në lidhje me menaxhimin e mbetjeve. Sipas saj sot u miratua metodologjia që njësitë e qeverisjes vendore të përllogarisin sasinë e mbetjeve.

“Miratuam sot një mendim të një VKM ekzistuese që ka të bëjë me mënyrën si menaxhohen mbetjet nga gjenerimi deri në pikën fundore. VKM që miratuam sot saktëson metodologjinë që njësitë e qeverisjes vendore të përllogarisin sasinë e mbetjeve. Situata në terren ndeshet me burime informacioni kaotike që vijnë nga bashkitë, operatorët e bizneset në terren dhe nga INSTAT dhe ka qenë një punë e gjatë nga Ministria e Mjedisit. Metodologji e unifikuar që do të na japë tablo të qartë e detyrueshme për çdo bashki dhe për të bërë publike statistikat e mbetjeve në territor. Kjo metodologji fut në shina dhe na jep një tablo më të qartë dhe do të shoqërohet me paket trajnimesh duke filluar nga kjo javë”.

Sa i takon decentralizimit dhe reformës territoriale, ministri i Brendshëm Blendi Çuçi njoftoi se sot është miratua marrëveshja mes programit të OKB dhe qeverisë shqiptare që bashkon disa donatorë në një fond të përbashkët. Bëhet fjalë për programin Star 3 ku përfshihen BE, Suedia, Zvicra së bashku me qeverinë shqiptare dhe PNUD-in. Sipas Çuçit ky fond do të shkojë për të modernizuar më tej shërbimet në nivel lokal.

“Miratuam një marrëveshje të rëndësishme mes programit të OKB dhe qeverisë shqiptare që është përdorur me sukses prej vitit 2013 kur ne filluam të dizenjojmë dhe implementojmë reformën territoriale dhe gjithë reformën e decentralizimit dhe ky program është i treti në radhë dhe quhet Star3 që bashkon disa donatorë që janë të përfshirë në reformën e decentralizimit që kanë krijuar një fond të përbashkët. Donatorët që do të bashkohen në Star 3 janë BE, Suedia dhe Zvicra së bashku me qeverinë shqiptare dhe PNUD. Ky fond do të shkojë për të modernizuar më tej shërbimet në nivel lokal dhe do të ngrejë instrumenta monitorimi të performancës të qeverisjes vendore, një instrument shumë i rëndësishëm që do të bëjë të mundur që në bazë të performancës së çdo bashkie vëmendja e jo vetëm donatorëve dhe qeverisë do të jetë asimetrike. Suksesi i kësaj marrëveshje është i garantuar”.