Reciprociteti për targat, Kurti: Automjetet nuk i ndalojmë ne, por protestuesit

Përditësuar më: 22/9/2021, ora 15:08

Reciprociteti për targat, Kurti: Automjetet nuk i ndalojmë ne, por protestuesit

Përditësuar më: 22/9/2021, ora 15:08

“Për incidente dhe eskalim nuk kanë interes shteti i Kosovës dhe as qytetarët e vendit tonë. Nuk kanë interes as serbët në Kosovë, nuk ka interes për destabilizim as Serbia, duket që vetëm një individ ka interesim për incidente dhe eksese, e ky është presidenti i Serbisë”.

Zbatimi i reciprocitetit për targat me Serbinë ishte temë mbizotëruese në mbledhjen e qeverisë së Kosovës. Gjithashtu edhe konferencën për shtyp të kryeministrit Albin Kurti, i cili njoftoi se ka pranuar një takim negociues në Bruksel, të kërkuar nga ndërmjetësuesit Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

“Jemi të hapur për takime në Bruksel, por pasi kanë marrë dakordimin tonë, kanë marrë dhe refuzimin në Beograd. Ky refuzim nuk i ndihmon Serbisë e as serbëve”, tha Kurti.

Kërkesën e Vuçiç dhe deklaratat e tij pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë nuk i mori parasysh. “Vërejta që ka shumë inate dhe shumë vrer që nuk i kontribuon paqes Kosova kërkon një zgjidhje përfundimtare për heqjen e plotë të targave provizore dhe lejimin e lëvizjes së lirë. Pengesa në pikat kufitare nuk po bëhet nga policia”.

Përgjigje pati edhe për mundësinë e pranisë së strukturave të paligjshme serbe në kufi. “Natyrisht që nuk e përjashtojmë aspak mundësinë që nuk bëhet fjalë për qytetarë të zakonshëm, por për njerëz të cilat para se të organizohen në protestë kanë qenë pjesëmarrës në struktura”.

Kurti shprehu keqardhjen që nga reciprociteti për targat preken dhe shqiptarët e Luginës së Preshevë dhe të tjerë që jetojnë në Serbi dhe premtoi një kompensim për ta.