Bashkëpunimi PS-PD, Bardhi refuzon ftesën e Gjiknurit: Këtu shkelet rregullorja e Kuvendit

Përditësuar më: 23/9/2021, ora 14:04

Bashkëpunimi PS-PD, Bardhi refuzon ftesën e Gjiknurit: Këtu shkelet rregullorja e Kuvendit

Përditësuar më: 23/9/2021, ora 14:04

Damian Gjiknuri është i radhës nga socialistët që shtrin dorën e bashkëpunimit ndaj Partisë Demokratike. Nga Shkodra, ku ishte i pranishëm për prezantimin e Edona Bilalit si drejtuese qarku, sekretari i Përgjithshëm i bëri thirrje opozitës të ulen në tryezë për të dialoguar brenda institucioneve.

“Dialogimi nuk bëhet me diplomacinë e megafonit as me deklarata për shtyp, dialogimi bëhet që të ulemi në tryezë siç kemi bërë reformën zgjedhore më parë, siç kemi bërë reforma të tjera. Kryeministri e tha që ne jemi të gatshëm pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme që kemi qoftë për reformën në drejtësi, qoftë për reformën territoriale apo edhe për probleme të reformës zgjedhore nëse ata duan të adresojnë këto çështje e mira është edhe një dialog që zhvillohet në institucione”, u shpreh Gjiknuri.

I pyetur nëse ky dialog do të konfirmonte akuzat e Sali Berishës për pazar mes Ramës dhe Bashës, Gjiknuri evitoi komentet direkte duke nënvizuar se njeh vetëm PD-në zyrtare.

“Nuk dua të futem në akuzat që kanë ata me njëri-tjetrin. Ky është një problem i tyri i brendshëm. PS është e gatshme të dialogojë me PD-në zyrtare kushdo që merr përsipër të përfaqësojë dhe që do të shprehi interesat e demokratëve për ata ndryshime që ata mendojnë të nevojshme. Por negociatat dhe politikbërja zhvillohet në institucione dhe ne jemi të gatshëm të dialogojmë në çdo kohë me ta”, tha ai.

E menjëhershme ishte dhe përgjigjja e opozitës nëpërmjet sekretarit Gazmend Bardhi. “Në një parlament, ku  përpiqen t’i hedhin hi syve opozitës, e t’i mbyllin gojën, është e  pamundur të flasim për bashkëpunim”, tha Bardhi.

Sipas Bardhit, parlamenti ka humbur rolin e bërjes së reformave, për sa kohë vendimet janë të njëanshme.