Lukaku: Superliga u ndalua brenda ditës, racizmi jo

Përditësuar më: 23/9/2021, ora 16:16
LUKAKU CNN EXCLUSIVE racizmi 0001 frame 2075 1024x576

Lukaku: Superliga u ndalua brenda ditës, racizmi jo

Përditësuar më: 23/9/2021, ora 16:16

Sulmuesi i Chelsea-t, Romelu Lukaku, u ka bërë thirrje drejtuesve të kompanive të mëdha të mediave sociale që të ulen në tavolinë me yjet e Premier League dhe të diskutojnë për mënyrat se si mund t’i japin fund racizmit dhe abuzimeve online.

Platforma si Facebook dhe Twitter kanë vënë në zbatim disa masa në muajt e kaluar, por futbollistët – sidomos ata me ngjyrë – e shohin veten pre të sulmeve bazuar mbi racën, orientimin seksual, ndërsa nuk kanë munguar edhe kërcënimet me vdekje.

“Mendoj që nëse dëshiron vërtet ta ndalosh racizmin, mund ta bësh, por ata nuk e bëjnë. Është si një rreth vicioz, e ke parasysh? Ka shumë gjëra të përfshira… Mund të ndalosh Superligën (e Europës) brenda një dite, por nuk mund të ndalosh racizmin ose të gjurmosh një person që ofendon brenda gjysmë ore… nuk mund ta bësh këtë. Dua të them, për mua nuk ka logjikë”, tha Lukaku në një intervistë ekskluzive për gazetaren e CNN, Amanda Davies.

“Ne si lojtarë mund të bojkotojmë mediat sociale, por mendoj se ato kompani duhet të vijnë e të bisedojnë me skuadrat ose qeveritë, ose vetë lojtarët dhe të gjejnë një mënyrë se si t’i japin fund, sepse vërtet mendoj që mund ta bëjnë këtë”.

I pyetur nëse është ndjerë ndonjëherë i lodhur nga kjo luftë, kundër racizmit, ish-sulmuesi i Interit thotë: “Jo, sepse më duhet të luftoj, sepse nuk po luftoj vetëm për veten time. Po luftoj për tim bir, për fëmijët e mi të ardhshëm, për tim vëlla, për të gjithë lojtarët e tjerë dhe fëmijët e tyre, e ke parasysh, për të gjithë, sepse në fund të fundit, futbolli duhet të jetë një lojë e pëlqyeshme. Futbolli është gëzim, është lumturi dhe kështu duhet të jetë. Nuk duhet të jetë një vend ku ndihesh i pasigurt për shkak të mendimit të disa njerëzve të paedukatë”.